Murati, LDK-së: Premtimet për koeficient 150 euro janë humor pashije
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka reaguar ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës ku ka thënë se Ligji për Financat Publike i miratuar në vitin 2016 e përcakton që rritja e pagave në një vit fiskal nuk mund të tejkalojë rritjen ekonomike.
Murati përmes një postimi në Facebook, ka thënë se premtimet për koeficient 150 euro s’ka se si të konsiderohen ndryshe përveç se si humor i pashije.
“Neni 22/C i Ligjit për Financat Publike, i miratuar në vitin 2016 në kuadër të programit që Qeveria Mustafa (LDK-PDK) kishte me FMN-në asokohe, e përcakton që rritja e pagave në një vit fiskal nuk mund të tejkalojë rritjen ekonomike. Prandaj edhe premtimet për koeficientë 150 euro s’ka se si të konsiderohen ndryshe përveç se si humor i pashije. Sepse rritja e pagave mund të bëhet vetëm aq sa është rritur ekonomia, jo më shumë. Kjo është e përcaktuar qartë në ligj.” – ka thënë ai.
Tutje ministri Murati ka thënë se gjatë qeverisjes së tyre kanë pasur rritje ekonomike të qëndrueshme, e cila ju ka mundësuar që pagat t’i rrisin për 3 vite radhaz.
“Fati e do që me qeverisjen tonë për këto 4 vite kemi pasur rritje ekonomike të qëndrueshme, e cila na ka mundësuar që pagat t’i rrisim për 3 vite radhazi, prejse ka hyrë në fuqi ligji i pagave. Mirëpo fakti se ekonomistët e LDK-së po garojnë me ide e premtime sikurse ato të AAK-së, tregon se ku është katandisur kjo parti. Lumiri së paku e ka mundësinë të konsultohet me Deputetin Hoti, i cili ka qenë edhe Ministër i Financave në kohën kur Neni 22/C i Ligjit për Financa Publike ishte miratuar.” – ka shkruar Murati.