Murati lavdërohet për rritje ekonomike, qytetarët e “gozhdojnë”: “Mos rrej”, “pensionet ende 100 euro”
Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, pretendon se rritja ekonomike është përshpejtuar në vitin 2024.
Në një status në profilin e tij në “Facebook”, ai është lavdëruar me këtë rritje.
Veprimi i ministrit Murati nuk është pëlqyer nga shumë qytetarë të Kosovës, raporton Nacionale.
Ata kanë vërshuar me komente në statusin e tij, duke vlerësuar se pretendimet Muratit nuk janë të vërteta.
Shumica dërmuese e komenteve kanë qenë negative.
Një qytetare me emrin Emine Dreshaj ia ka përmendur Muratit pensionet e ulëta.
“Asgje nuk eshte per tu mburr derisa pensionistet mbijetojn me nga 100 euro . Eshte koha se u be mjaft te reflektoni te pensionistat se 100 euro as lëmosh nuk mund te quhet”, ka kometuar ajo.
As Osman Veliu nuk i ka besuar pretendimeve të ministrit Murati.
Sipas tij, Murati më herët është kapur duke gënjyer dhe më nuk i beson.
“Nuk eshte mire me rrejte kurre, ne veçanti kur qeverisë. Sidomos sot, ne epoken e digjitalizmit kur cdo detaj i nenshtrohet lupave te shumta te vezhgimit. Èshte rregull qe kur te nxinesh disa here ne rrene, edhe kur ta thuash te verteten, ma kush nuk te beson. Kjo eshte rrevull ne cdo shoqeri!”, ka shkruar Veliu.
Ndërsa, qytetari Luan Morin e ka fajësuar Muratin për vështirësitë që po i hasin pensionistët në procesin ku ata duhet të dëshmojnë se janë gjallë.
“Sot temperatura mrrinë 34°C, e për shkak të injorancës tuaj, pensionistët duhet me shku m'e dëshmu që janë gjallë. Ti vazhdo në Valencia, e ki fllad”, ka shkruar Morina.


Çka tha Murati?
Duke u thirrur në të dhëna të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ministri Murati ka vlerësuar se në pjesën e parë të këtij viti rritja ekonomike ka prekur nivelin 5.62 për qind.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kjo rritje është më e lartë në vitin e kaluar.
“Sipas ASK-së, rritja ekonomike në TM1 2024 ka përshpejtuar edhe më tutje ritmin duke shënuar nivelin 📈 5.62%, që është dukshëm më lartë se tremujori paraprak që ishte 3.96%. Pas tejkalimit të stuhisë së krizave globale, dhe stabilizimit të çmimeve, tani gradualisht po i kthehemi potencialit dhe rritjes së synuar. Kjo demanton të gjithë zërat skeptikë dhe prognozat e zymta që me çdo kusht mundoheshin ta lidhnin liberalizimin e vizave me skenare apokaliptike në fillim të vitit”, ka shkruar Murati.
Më tej, ai ka folur edhe për ndikim e liberalizmit të vizave për qytetarët.
“Siç edhe po shihet, liberalizimi i vizave është prej gjërave më të mira që ka ndodhur së fundmi për ekonominë e vendit. Sepse përveç lehtësimit të udhëtimit për të vizituar familjarët në mërgatë, tani edhe bizneset e ndërmarrësit e kanë shumë më të lehtë të gjejnë tregje të reja e të rrisin aktivitetin bzinesor. Në një nga udhëtimet që kisha së fundmi, kisha rastin të takoj dy të rinj që punonin në fushën e marketingut dhe dizajnit digjital, të cilët po ktheheshin nga një takim që kishin pasur me një klient në Valencia të Spanjës. Diçka vështirë e imanginueshme para se të hiqeshin vizat”, ka shkruar Murati.
Ministri Murati edhe më herët është kritikuar nga opozita dhe njohësit e ekonomisë për publikim të shifrave jo të sakta. Sipas tyre, ministri në fjalë vazhdimisht manipulon me shifra ekonomike.