Mungojnë deputetët: Dështon seanca ku pritej debat për 3 vjet të qeverisjes së Kurtit - NACIONALE

Mungojnë deputetët: Dështon seanca ku pritej debat për 3 vjet të qeverisjes së Kurtit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ka dështuar seanca e Kuvendit ku pritej të debatohej për 3 vjet qeverisje të kryeministrit Kurti.

Kjo pasi pjesa më e madhe e deputetëve kanë zgjedhur të mos shkojnë në seancë.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se kanë arritur dakordim që seanca të shtyhet.

“Një temë kaq e rëndësishme, që do të jetë ballafaqim i vërtetë mes opozitës e kryeministrit, nuk do të duhej të ndodh pa pjesëmarrje të deputetëve. Andaj në mungesë të deputetëve, po e shtyjmë këtë debat në kryesi vendosim për datën”, tha Tahiri, raporton Nacionale.

Shtyrjen e seancës e konfirmoi edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

“Është papërgjegjësi. Nuk duhet të presim më shumë. Do të zgjedhim një datë kur kryeministri është i lirë”, tha Konjufca.

Në këtë seancë është parë një zhvillim simptomatik. Më saktë, sot është parë një qetësim gjakrash në mes të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Madje, në këtë seancë është parë edhe një “paqëtim” në mes dy figurave që dikur e akuzonin goxha shumë e goxha shpesh njëri-tjetrin. Albulena Haxhiu, ministre e Ministrisë së Dretjësisë, dhe Abelard Tahiri, shef i deputetëve të PDK-së, janë përshendetur si kurrë më parë gjatë viteve të fundit.

Dy kundërshtarët e zjarrtë, të cilët shpesh kanë akuzuar njëri-tjetrin, u panë më të relaksuar sot, duke shtrënguar duart.

Sjellim ndër mend që ky pajtim në mes VV-së dhe PDK-së vjen pas darkes në mes kryeministrit Albin Kurti dhe Memli Krasniqit, kryetar i PDK-së, të cilët javën e kaluar kaluan mbi dorë bashkë në një restorant në Prishtinë. Kjo ngjarje u pa si fillim i afrimit të VV-së me PDK-në, dy partitë që historikisht kanë kunërshtuar njëri-tjetrin.

Në këtë seancë që ishte ftuar nga AAK-ja dhe është përkrahur nga LDK-ja e PDK-ja, në rend të ditës kishte vetëm një pikë: Shqyrtimi i projekt-rezolutës për tre vjet qeverisje.

Gazeta Nacionale e publikoi pak më herët projekt-rezolutën që AAK-ja do ta prezantonte sot para deputetëve në seancën, e cila dështoi.

Projekt-rezoluta është e shkurtër, pasi ajo përmban vetëm dy pika.

Në piken e parë të rezolutës thuhet se janë përmbushur të gjitha kushtet për ndërprerjen e mandatit të Qeverisë Kurti.

Më pas, tregohet se përfundimi i mandatit të kësaj qeverie duhet të bëhet me dorëheqje të kryeministrit ose me anë të mocionit të mosbesimit, të cilin AAK-ja e ka propozuar prej kohesh.

Të gjithë parametrat e deritashëm, sot në tre vjetorin e kësaj Qeverie, janë dëshmi se janë plotësuar të gjitha kushtet që qeveria ta përmbyllë mandatin e saj me dorëheqje, ose me mocion për shkarkimin e saj, të propozuar nga AAK”, thuhet në piken e parë të rezolutës.

Kurse, në piken e dytë thuhet se pas dorëheqjes së Qeverisë duhet të shpërbëhet Kuvendi i Kosovës.

Pas dorëheqjes ose shkarkimit të qeverisë, të shpërbëhet Kuvendi i Republikës së Kosovës”, thuhet në piken e dytë të rezolutës.

Mimoza Kusari-Lila, kryetare e grupit parlamentar të VV-së, ka folur pas dështimit të mbajtjes së seancës së Kuvendit të Kosovës, ku pritej të diskutohej për qeverisjen tre vjeçare të Qeverisë Kurti.

Në fjalën e saj, Kusari ka vlerësuar se Kuvendi mund të shpërndahet nëse ka vullnet të grupeve parlamentare që janë pjesë e Kuvendit.

“Është e paimagjinueshme të shpërndahet Kuvendi, për një debat për 3 vjet qeverisje ka kaq pak interesim nga deptuetët. Jemi në dinamikën e ritmin e mirë të përmbushjes së agjendës legjislative. Vet AAK-ja nuk e kishte kryetarin e partisë, vetëm 3 deputetë ishin prezentë.

Nuk ka pasur kushtëzime e të asaj natyre, nuk e di prej kujt i keni informatat. Sikur të mos isha prezentë në takim, do të kisha dëgjuar për shumë skenarë. Ka pasur diskutim për agjendën legjislative, edhe kodin civil, por asnjë kushtëzim. Është konsideruar si trajtim, domosdohsmëri e përbashkët të ketë miratim e koncensus për miratimin e marrëveshjeve ndërkomnbëtare. Janë përmendur sfidat në disa ligje.

Kuvendi shpërndahet vetëm nëse ka vullnet të grupeve parlamentare që janë pjesë e Kuvendit” – tha ajo.

Lajme të ngjashme