Muja: Në VV nuk ka interes për një koalicion me PDK-në
Deputeti i LVV-së, Armend Muja, ka vlerësuar se në partinë e tij nuk ka interes për një koalicion me PDK-në.
Në një prononcim në emisioni Debat Plus, ai ka thënë se VV-ja dëshiron koalicion vetëm me LDK-në.
Sipas tij, refuzimi i ofertës nga ana e LDK-së është veprim që lidhet me PDK-në.
“Nuk ka interes në VV për një koalicion me PDK-në. I vetmi opsion në bazë të konsultimeve është oferta që i është bërë LDK-së. Dhe refuzimi, nëse qenka përfundimtar, i pamundëson Kosovës ose reflekton vështirësitë që i ka LDK-ja të shkëputet nga PDK-ja”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.
“Ne kemi propozuar kandidatin tonë, qasja e jonë është që të kemi institucione, sidomos Kuvendi të konstituohet në afatin me të shkurtër dhe pastaj të rrjedhin afat për krijimin e qeverisë. Kjo është e rëndësishme sepse Kuvendi reflekton peshën që e kemi ne, që na ka dhënë votuesi. Ajo që e interpretoj unë është një frustrimin me rezultatin zgjedhor qe, partitë opozitare janë bërë bashkë për të bllokuar konstituimin e Kuvendit”, ka deklaruar Muja.