MPJ njofton QUINT-in dhe BE-në për bllokimin e kosovarëve në kufi: U janë marrë dokumentet personale - NACIONALE

MPJ njofton QUINT-in dhe BE-në për bllokimin e kosovarëve në kufi: U janë marrë dokumentet personale

1 javë më parë

nga NACIONALE

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar përsëri pas bllokimit të qytetarëve kosovarë në pikat kufitare në Serbi.

MPJ ka thënë se udhëtarët janë ndaluar në pikën kufitare Kroaci-Serbi, në Batrovci dhe qytetarët që po vinin në Kosovë, janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, si dhe te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë.

Më 16 prill, në orët e vona, pak orë pas votimit në favor të Kosovës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, institucionet tona janë njoftuar, që në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci, autobusë të operatorëve të ndryshëm të Republikës së Kosovës, të cilët duhej të kalonin tranzit nëpër Serbi, ishin ndaluar nga autoritetet kufitare të Serbisë.

Qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas.” – thuhet në njoftim.

Tutje, MPJ ka thënë “të gjithë udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve. Po ashtu, disa prej tyre janë marrë dhe po vazhdojnë të merren në pyetje.

MPJ ka bërë të ditur se ka njoftuar vendet e QUINT-it dhe BE-në.

Pas veprimeve arbitrare të Serbisë, institucionet tona, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar shtetet e KUINT-it, Institucionet e BE-së dhe të tjera ndërkombëtare rreth kësaj situate dhe presim që kjo situatë të përfundojë shpejtë.

Ky veprim hakmarrës, i paralajmëruar para pak ditësh nga vet presidenti i Serbisë Vuçiq, i cili vjen pas dështimit të propagandues kundër anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, duhet të marrë urgjentisht përgjigjen e merituar nga bashkësia ndërkombëtare.” – përfundon reagimi.

Ndërkohë orë më parë, MPJD-ja dhe MPB-ja kanë thënë se për shkak të ndaljes arbitrare të qytetarëve të Kosovës, kanë kërkuar që të evitohet me “çdo kusht” kalimi nëpër Serbi.

INFORMACION I RËNDËSISHËM PËR TË GJITHË ATA QË SHFRYTËZOJNË HYRJE-DALJET E SERBISË Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se pas situatës së krijuar në pikat kufitare në Serbi dhe ndaljes arbitrare të qytetarëve të Kosovës në vendkalime kufitare, të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi.” – thuhet në njoftim.

Më tej, këto dy ministri kanë konfirmuar se janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe kanë kërkuar që të ndjeket me vëmendja “situata e tensionuar e sigurisë”.

MPJD dhe MPB janë duke ndermarrë veprimet e nevojshme dhe do t’iu mbajnë të informuar rreth detajeve të reja.Të gjithë udhëtarët luten që të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë.

Duke marrë parasysh faktin që në qarkullim janë shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës dhe kaosit, ju lusim të ndiqni @Kosovo_Police rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim.” – përfundon njoftimi i publikuar në Facebook.

Lajme të ngjashme