Mosparaqitje e Kurtit në Prokurori, Miftaraj: Kryeministri duhet të jetë shembull për respektimin e ligjit - NACIONALE

Mosparaqitje e Kurtit në Prokurori, Miftaraj: Kryeministri duhet të jetë shembull për respektimin e ligjit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka vazhduar kritikat ndaj kryeministrit Albin Kurti për mosparaqitje në prokurori.

Ai ka vlerësuar se kryeministri i një vendi duhet të jetë shembull i promovimit të demokracisë dhe respektimit të sundimit të ligjit.

Në një intervistë për EO, ai ka thënë se shefi i ekzekutivit nuk duhet të jetë shembull i mosrespektimit të kushtetutës.

“Secili qytetar i Kosovës nga kryeministri nga pozitat e larta do të duhej të merrte vetëm shembuj të mirë, shembuj që promovojnë demokracinë, sundimin e ligjit, e assesi shembuj të cilët në një far mënyre e shkelin kushtetutën, shkelin ligjin apo ndërtojnë precedent të këqij që minojnë edhe vetë shtetësinë e Kosovës apo atë çka kemi arritur me vitet të tëra”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për masat që duhet të merren nga drejtësia për shefin e Qeverisë.

“Tani varet se si do të veprojnë prokurorët, gjykatësi. Tash në rastin konkret gjyqtari i rastit do të duhej të dërgonte edhe një shkresë tjetër, e në këtë shkresë do të duhej të urdhëronte policinë që këtë rast dëshmitarin Albin Kurti ta dërgoj para prokurorit për të dhënë dëshminë në një datë të caktuar në një kohë të caktuar. Për këtë kërkohet vullnet, guxim profesional nga ana e gjyqtarit, nga ana e prokurorit, ta zbatojnë do të thotë këtë obligim që përcakton kodi. Nëse pas kësaj nuk respektohet atëherë gjyqtari mund të shqiptoj gjobë për çdo herë që Kurti refuzon të shkoj me 250 euro, e deri në masën prej 30 ditë burgim nëse i njëjtë do të thotë shkon para prokurorit dhe nuk e jep dëshminë e tij”, është shprehur ai.

Lajme të ngjashme