“Mos m’prek se t’q*va nanen allti”: Kërcënimet e policit të arrestuar që dyshohet se po tentonte të përvetësonte cigare
Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar një pjesëtar të Njësisë Speciale, ndërsa ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve të tjerë policorë, nën dyshimin se kanë përvetësuar mall të sekuestruar në vlerë prej rreth 30 mijë eurosh. Nacionale kupton nga burime të mirëinformuara se polici i arrestuar ka kërcënuar me jetë pronarin e mallit, në përpjekje për t’ia përvetësuar paketat e cigareve me veturë private.
Sipas njoftimit zyrtar të IPK-së, rasti lidhet me një aksion ku zyrtarët policorë kishin sekuestruar fillimisht mbi 100 paketa me cigare nga persona të dyshuar për kontrabandë brenda territorit të Republikës së Kosovës. Megjithatë, sipas IPK-së, hetimet fillestare kanë ngritur dyshime serioze se 24 nga këto paketa nuk janë dorëzuar fare në institucionet përkatëse, por janë përvetësuar nga vetë zyrtarët policorë. Bëhet fjalë për rreth 12 mijë e 500 pako cigare, me vlerë të përgjithshme afro 30 mijë euro.
IPK ka bërë të ditur se ekziston dyshimi se më 13 mars 2026, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, këta zyrtarë policorë kanë kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë”. Sipas të njëjtit njoftim, në Doganën e Kosovës janë dorëzuar vetëm 84 paketa me cigare të dyshuara si të kontrabanduara, ndërsa pjesa tjetër dyshohet se është mbajtur në mënyrë të kundërligjshme.
“Sipas dyshimeve fillestare zyrtarët policorë në këtë rast, pasi paraprakisht kishin sekuestruar mbi 100 paketa me cigare nga persona të dyshuar për kontrabandë brenda territorit të Republikës së Kosovës, dyshohet se i kanë përvetësuar 24 paketa me cigare, rreth 12,500 pako cigare në vlerë rreth 30.000 euro, kurse në Doganën e Kosovës i kanë dorëzuar vetëm 84 paketa me cigare të cilat janë dyshuar si të kontrabanduara.” – thuhet në njoftimin e IPK-së.
Si pasojë, njëri nga zyrtarët policorë është arrestuar dhe, me vendim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Ndërkohë, katër zyrtarët e tjerë po hetohen në procedurë të rregullt, nën dyshimin për përfshirje dhe bashkëpunim në këtë rast.
Polici i arrestuar raportohet të jetë Fatmir Uka, pjesëtar i Njësisë Speciale që operon në veri të Kosovës. Sipas informacioneve të siguruara nga Nacionale, ai dyshohet se po tentonte ta largonte mallin e sekuestruar me një veturë private, por është ndalur nga pronari i mallit, i cili më pas ka dokumentuar ngjarjen përmes telefonit, pasi kishte përcjellur drejtimin e veturës.
Pamjet e publikuara nga veriu.info e rëndojnë edhe më shumë rastin. Në video, zyrtari policor dëgjohet duke e kërcënuar me jetë pronarin e mallit, teksa ky i fundit po filmonte sekuestrimin e njëanshëm. “Mos më prek se ta q** **nanën allti”, dëgjohet të thotë polici në incizim.