“Mos kërcëno, o Nexh”: Pse u përplasën Matoshi e Spahiu, dy “baballarët” e kombit kosovar?
Halil Matoshi dhe Nexhmedin Spahiu kanë një veçori të përbashkët, pasi ata besojnë në identetetin kosovar. Pra Matoshi e Spahiu janë “baballarët” e idesë së kombit kosovar, një kombi i mëvetësishëm. Megjithatë, kjo veçori nuk i ka mbrojtur ata të mos përplaseshin mbrëmë në Kanal 10. Dy “musketerët” e kombit kosovar u përçanë, duke nxjerrur shpatat verbale ndaj njëri-tjetrit. Çka ndodhi?
Në emisionin “Politiko”, dy “baballarët” e kombit kosovar u përplasën ashpër, me zë të lartë e në mënyrë tepër brutale. Në fakt, nga videoja e shkëputur nga emisioni, zor se mund të kuptohet filli i debatit mes Matoshit dhe Spahiut. Pra s’dihet bash saktë se pse u përplasën, megjithatë ata u përplasën.
Sidoqoftë, përplasja Matoshi-Spahiu nisi në lidhje me çështjen nëse duhet zbatuar ose jo marrëeshja e Brukselit, nëse jo nuk zbatohet nga Serbia.
“Është dashtë më tregu gatishmërinë, që ne jemi të gatshëm me zbatu marrëveshjen. Ne duam ta zbatojmë marrëveshjen, por natyrisht kërkohet edhe prej palës tjetër me shku në të njëjtin hap dhe njëanshëm…nuk ka asnjë garancë që ata (ndërkombëtarët v.j.) që ata mund të detyrojnë palën tjetër ta zbatojnë” – tha Spahiu, i cili ka një kohë që insiston që marrëveshja të moszbatohet njëanshëm veç nga Kosova.
Këtu ndërhyri në mënyrë të vrullshme “vullkanik” Matoshi, duke e shtruar një pyetje retorike.
“E më 1999, a e kanë detyru z.Spahiu? A e kanë detyru (Serbinë v.j.) më 1999?” – pyeti Matoshi.
“Më 1999 e kanë detyrue, por…” – nisi të argumentonte Spahiu, por Matoshi ndërhyri duke pyetur sërish “por çka?”.
“Por qysh u bo shtet Kosova, o Nexh?” – ishte pyetja e sërishme e Matoshit.
“E dimë qysh u bo, por leji ato përralla tani” – ia ktheu Spahiu.
“Shteti u bo, thotë përallë, a pe sheh, me lehtësi të padurueshme, flet broçkulla” – tha Matoshi.
Në këtë moment, ndërhyri edhe një analist tjetër, Fidan Rama, megjithatë dy “baballarët” e kombit kosovar nuk e ndërprenë debatin mes njëri-tjetrit.
“Vuçiqi ka nis me lujtë Titon një herë, pastaj Millosheviqin, po kthehet tash me lujtë Xhingjiqin” – vazhdoi Matoshi, ndërsa Spahiu i tha se Matoshi e kishte “shfrytëzuar kohën e tij”.
“Por nuk the kurgjo, o Nexh” – vazhdoi Matoshi, ndërsa Spahiu tha se Kosova është mashtruar më parë.
“Në cilin vit është bërë decentralizimi?” – ishte pyetja që Spahiu e shtroi dy herë, me zë të ngritur.
Ndërsa Matoshi e pyeti nëse po e kërcënonte.
“Mos kërcëno, Nexh, çka ki? Çka po bërtet?” – shtroi një dilemë në formë pyetjeje Matoshi.