“Mos i përjashtoni çikat”: Jeta Xharra e sfidon Arbërie Nagavcin për shamitë në shkolla - NACIONALE

“Mos i përjashtoni çikat”: Jeta Xharra e sfidon Arbërie Nagavcin për shamitë në shkolla

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Arbërie Nagavci, ministre e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka qenë e ftuar në emisionin “Kallxo Pernime”, ku ka folur për situatën në arsim. Por gjatë emisionit, gati krejt në fund, ajo është sfiduar nga moderatorja e njohur Jeta Xharra për çështjen e ndalimit të shamisë në shkolla.

Zonja Xharra e ka pyetur Nagavcin nëse do ta rishikojnë gjatë këtij viti udhëzimin administrative që ndalon uniformat fetare.

“Udhëzimi për shamia, a ka me u kqyrë sivjet a jo? Sepse informata jonë, zonja Nagavci, është që juve nuk po ju kalon ligji për tekste shkollore për shkak se deputetët janë duke ju kushtëzuar për U.A. për shamia?” – e pyeti zonja Jeta Xharra.

Zonja Nagavci gjeti “shpëtimin” në dallimet semantike me Xharrën. Sipas saj, nuk ka udhëzim administrativ kundër shamisë, teksa shtoi se asnjë vajze nuk i mohohet arsimimi për shkak të shamisë.

“Siç e kam thënë disa herë, nuk ka udhëzim administrativ për shami… Unë kam dy obligime. E para: që vendimet i marrë me përgjegjësi të plotë në interesin më të mirë të institucionit, qeverisë, shtetit tim. E dyta, që të sigurohem si Ministre e Arsimit, si profesioniste, si nënë, si grua që asnjë vajze të mos i mohohet e drejta e shkollimit. Sot që po flasim nuk kemi asnjë vajzë që i është mohuar e drejta e shkollimit”- u shpreh ajo.

Por Xharra nuk u kënaq me këtë përgjigje, duke vazhduar me insistimin e saj. Ajo e pyeti në mënyrë direkte nëse Nagavci mund t’iu thotë Drejtorive Komunale të Arsimit që t’i lejojnë vajzat me shamia të ndjekin arsimin fillor e të mesëm.

“A bën me iu thanë DKA-ve, Arbërie Nagavci sot me iu dëgju DKA-të që me iu thanë ju me gojën e juve mos i përjashtoni çikat që iu vijnë (me shami v.j.)” – e pyeti zonja Xharra, ndërsa Nagavci nuk u përgjigj në mënyrë direkte.

Ajo tha se duhet diskutim shumë më përmbajtësor. Gjatë përgjigjes së saj, Nagavci e pranoi se ka një udhëzim administrativ që ndalon “uniformën fetare”, një togflajësh mbi të cilin bazohen DKA-të kurdo që ndalojnë arsimimin e vajzave me shami në shkolla.

“Diskutimi për këtë duhet të jetë më përmbajtësor. UA-ja i cili ka të bëjë me shkollat e mesme të larta e rregullon mbarëvajtjen e punës në shkollat e mesme të larta. Ndër disa kufizime, dmth e përmend se është e ndaluar uniforma fetare. Tani shoqëria jonë duhet të ketë një diskutim çka është uniforma fetare, a jemi ne të gatshëm të lejojmë që në shkollat tona të kemi vajza e djem të veshura me uniforma fetare” – deklaroi ajo.

Ndryshe, deputeti i VV-së, Eman Rrahmani, disa ditë më parë paralajmëroi se nuk do të votojë më asnjë ligj të MASHTI-t përderisa nuk shfuqizohet udhëzimi administrativ.

"Asnjë LIGJ që vjen në Kuvend nga kjo Ministri, nuk do ta ketë votën tonë pa e larguar këtë udhëzim administrativ diskriminues e të jashtëligjshëm!" - shkroi Rrahmani.

Paralajmërim të njëjtë ka bërë edhe deputeti tjetër i VV-së, Visar Korenica.

* Biseda rreth lejimit ose jo të vajzave me shami në shkolla fillon nga minuta 1:12:55.

Lajme të ngjashme