“Mos gabo me vr* ti, se unë du me vr* me dorë tem”: Primitivizëm HD që nxit vëllavrasje
Jemi në vitin 2024, në Kosovë janë në fuqi ligje kundër vrasjes e nxitjes së dhunës, por në “YouTube” po zhvillohet një univers paralel. Disa seriale gjoja me tregime popullore, të cilat kanë audience të gjerë, me rreth 200 mijë shikime për episod, kanë skenarë skandalozë që nxitin hasmëri, hakmarrje e madje edhe vrasje. Gjuha është e ashpër dhe e drejtpërdrejtë, me kërcënime primitive e fjalor të pakontrolluar.
Në një episode të titulluar “Burri me 3 Gra”, për të cilin pretendohet se paraqet tregim popullor, dy aktorë të moshuar përdorin fjalor me kërcënime të drejtpërdrejta për vrasje. Njëri e "këshillon" tjetrin që të mos vrasë një burrë që gjoja ia ka grabitur vajzën për martesë, sepse ky dëshiron që ta vrasë me dorën e vet, edhe pse thekson se e bija nuk po dëshiron që të ndahet nga burri, ndërsa tjetri e kërcënon se do ta vrasë bashkëbiseduesin, nëse ai e vret burrin që po e akuzon për grabitjen e vajzës.
Problemi është “fort i thellë”. Bashkëbiseduesit në serial janë baballarë të dy vajzave që janë duke jetuar me burrin e akuzuar për grabitje të njërës vajzë. Njëri thotë se do ta vrasë pse ia ka grabitur vajzën, tjetri e kërcënon se do ta vrasë bashkëbiseduesin, nëse ia lë vajzën pa burrë. E ai burri thuhet se tashmë ka tri gra.
“Ngom, ti, se koke plakë, unë erdha me t’kallxu që mos gabo me vra ti, se unë du me vra, me dorë teme e du me ia çu panlat n’hava” – thotë njëri aktor, duke iu referuar burrit që thotë se ia ka grabitur vajzën.
Tjetri e këshillon që të shkojë te miku dhe t’ia bëjë “përhair” vajzën, por ky nuk bindet dhe veç mbushet pezm dhe vendos që të largohet. Sidoqoftë, te dyert e oborrit, nikoqiri i jep një “dhuratë” – një kërcënim të drejtpërdrejtë: “Dulëm prej konakut. Mos gabo me ia vra burrin qikës e me ma lanë qikën pa burrë, se pasha Zotin me qet dorë t’vras.”