“Mjerë Kosova”, “I padijshëm”: Sallahu kritikohet ashpër për intervistën skandaloze
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka tronditur opinionin publik me intervistën e dhënë mbrëmë në emisionin “Debat Plus” të RTVD.
Në këtë paraqitje, ai ka thënë të pavërteta për rastin Dehari, të cilat i kanë habitur ata që e kanë parë dhe dëgjuar.
Ndaj deklarime të tij ka pasur reagime të shumta të njohësve të rrethanave politike në vend, duke e konsideruar atë si të padijshëm dhe mashtrues.
Politologu Shkodran Ramadani ka bërë me dije është tronditëse diskrepanca mes përmasave të të pavërtetave që ai ka folur.
“Mbrëmë dëgjova Blerim Sallahun në intervistën e tij në “Debat Plus”. Komenti i parë për të është që mjerë Kosova që ka një Zv.Ministër të tillë të Drejtësisë. Është tronditëse diskrepanca mes përmasave të të pavërtetave që ai i fliste dhe aftësisë së tij për të mbrojtur të pavërtetat e Partisë Vetëvendosje rreth rastit të Astrit Deharit. Rrallë kam parë në jetën time që dikush me kapacitet aq të ulët intelektual të merr nën mbrojtje të pavërteta aq gjigande. Nga paaftësia për të mirëmbajtur rrenën e sajuar, ai belbëzonte non-stop dhe përgjigjet e tij i ngjanin më shumë një kasete të prishur sesa shpërndarjes së vajit në tepsi. Por kështu është kur vaj ke pak, kurse tepsinë shumë të madhe”, ka shkruar Ramadani në profilin e tij në “Facebook”.
Ai ka thënë se Sallahu ndoshta nuk e di se çfarë gënjeshtre të madhe ka marrë përsipër.
“Blerim Sallahu ndoshta thjesht nuk e di se çfarë gënjeshtre të madhe ka marrë përsipër. Këtë gënjeshtër as gënjeshtari dhe mashtruesi më i zhdërvjelltë që ka Kosova – Albin Kurti – nuk po arrin ta mbajë mbi supet e tij, tashmë të kalitura nga pesha e gënjeshtrave të shumta ndër vite. Prandaj Albin Kurti e ka deleguar këtë përgjegjësi tek dy gënjeshtarë tjerë të paskrupullt: Tomë Gashi dhe Blerim Sallahu. Por derisa Nietzsche thoshte se njerëzit e thonë të vërtetën jo pse Zoti e ka ndaluar gënjeshtrën, për Blerim Sallahun vlen një tjetër konstatim: po e thotë gënjeshtrën sepse i zoti i tij moti kohë e ka ndaluar të vërtetën për ndjekësit e tij.”, ka shkruar Ramadani.
Ehat Miftaraj, drejtori i institutit të Kosovës për Drejtësi, ka përmendur tjera të pavërteta që ka thënë Sallahu në këtë intervistë.
“Zëvendësministri Sallahu tha se i ka shku në mendje që rasti Dehari mu trajtu nga ndonjë mekanizëm i jashtëm, por prokuroria nuk po jep leje që rasti Dehari mu hetu/trajtu nga ndonjë mekanizëm (lexo prokurori) e huaj!. Zëvendës minister i drejtësisë Sallahu, Kushtetuta dhe ligji në Kosovë NUK lejon që prokuror apo gjykatës të huaj të hetojnë, ndjekin apo gjykojnë rastet penale në Kosovë, kur vepra dyshohet se është kryer në Kosovë, nga shtetas të Kosovës, kur viktimat janë shtetas të Kosovës.Kaq pak do të duhej të kuptosh edhe ti zëvëndes minister i drejtësisë”, ka shkruar Miftaraj në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, Sallhu duhet të jetë më i përgatitur kur të dal para mediave.
“Përjashtimisht nga ky rregull, vetëm Kuvendi i Kosovës mundet me delegu këtë të drejtë te një autoritet tjeter si ishte rasti i misionit te Eulex dhe Gjykata Speciale me amandament kushtetues, ku mendimi i prokurorisë nuk mirret fare parasysh. Ministri, zëvëndës ministri, këshilltari, zyrtari publik kur del në media, duhet të jap sqarime për një çështje, publikut ti jep shpjegime dhe të qartësoj një situatë apo dilemë të caktuar. Në rastin e Sallahut, ky hap dilema, hap çështje të paqena, konspiracione, etj etj. Për keqardhje!”, ka shkruar ai.
VV-ja po manipulon me rastin Dehari
Kjo intervistë është parë edhe si tentativë për të manipuluar me rastin Dehari.
Politologu Avdi Smajlja ka vlerësuar se keqpërdori i këtij rasti është tragjedi.
“Me e degradu dhe me e përdorë deri në këtë shkallë tragjedinë e z. Astrit Deharit, vetëm te ne mund të ndodh. Nuk e di kush ka vendosur, por mbrojtje të rastit më jodinjitoze vështirë të gjendet. Të përdorësh këtë tragjedi për qëllime politike, elektorale, konfliktesh të brendshme partiake, paraqitje televizive skandaloze, etj., është tragjedi në vetvete”, ka vlerësuar ai.
Sipas tij, pushteti duhet të tregohet i kujdesshëm me këtë rast.
“Të diskreditosh procesin e hetimeve me ndërhyrje politike e analiza idiote, me kontestime politike edhe të analizave të institucioneve ndërkombëtare, deri edhe në zhdukjen e mostrave brenda institucioneve përgjegjëse, është tragjjikomedi që vetëm ne dimë të bëjmë. Ndjejë shumë keqardhje për vajzën e të ndjerit!”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Kurse, aktivistja e PSD-së, Teutë Rrusta, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se po manipulon me rastin e Astrit Deharit.
Ajo ka bërë me dije se kjo qeveri nuk është e interesuar për drejtësi.
“Këta nuk janë të interesuar në drejtësi (as për Astritin), sepse drejtësia shkon dorë për dore me të vërtetën. Pushteti po “simulon manipulon” me rastin. Janë në kërkim të raportit që shkruhet se ishte vrasje politike. Asnjë rezultat tjetër nuk do ta pranojnë. Ju betohem. Dhe kështu kjo tragjedi do të pikojë përherë”, ka shkruar Rrusta.
Çka tha e çka nuk tha Sallahu?
Zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahut, i është bërë e famshme një alegori që tregon shpejtësinë e kryerjes së punëve në ministrinë e Drejtësisë. “Si vaji në tepsi,” – thoshte ajo. Por, paraqitja e djeshme televizive ishte edhe më absurde duke ngritur pikëpyetje të shumta mbi atë se kush po udhëheq drejtësinë kosovare.
Sallahu në intervistën e mbrëmshme ishte i rrëmujshëm dhe... i padijshëm. Me gojë të tij pranoi se nuk dinte gjëra mjaft të rëndësishme, siç ishte edhe ajo se kush e udhëhiqte institutin ku u zhdukën provat tash.
“Ëëë, sot udhëheqës me sa e di une, tash nëse po m’kujtohet, dorën n’zemër, tash po marr informacione se nuk e di...” – u shpreh Sallahu kur u pyet se kush ishte drejtues.
Fjalën e tij në emision, zv. ministri e nisi me fjalë shumë të forta. Sipas tij, raporti i parë i bërë nga Instituti zviceran që ishte marrë me rastin kishte thënë se “Astrit Dehari ishte vrarë!” Në fakt, një gjë e tillë ishte shumë larg të vërtetës, dhe kjo gjë u ekspozua edhe gjatë emisionit nga panelistët.
“...raporti i parë tregon që një person i tretë e ka vra Astrit Deharin në burg!” – u shpreh z. Sallahu.
Ai më pas ‘u zbut’ në qëndrimet e tij, praktikisht duke e pranuar se pretendimi i tij nuk thuhej fare në raport. Aty thuhej se nuk përjashtohej mundësia që të ishte një palë e tretë, që potencialisht mund të kishte shkaktuar vdekjen e aktivistit të VV-së.
“Instituti e ka thënë që ka qenë një person prezent brenda burgut ku cilësohet se është vrarë nga ai person ose ka ndërhyrë në vrasjen e Astrit Deharit...” – vazhdoi Sallahu, duke e përsëritur disa herë se “mospërjashtimi i mundësisë” nënkuptonte se “personi ishte prezent”.

