Mirazhi i ‘progresit ekonomik’: numrat e Kurtit që nuk blejnë bukë - NACIONALE

Mirazhi i ‘progresit ekonomik’: numrat e Kurtit që nuk blejnë bukë

3 muaj më parë

nga Flakon Demaku

Për më shumë se një orë, mes pretendimeve të pasakta dhe numrave groteskë, kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti, ua shërbeu edhe qytetarëve të Gjakovës të njëjtin rrëfim për “progresin ekonomik”: numra që s’kanë lidhje me mirëqenie reale për popullin e mbajtur në iluzionin e rritjes nominale, ndërkohë që inflacioni ua gërryu fuqinë blerëse.

Realiteti i stagnimit të rritjes ekonomike të Kosovës – në raport me po të njëjtën periudhë para ardhjes së Kurtit në pushtet – u lye fund e krye me numra të pasaktë, nominalë dhe pa asnjë lidhje me rritje të vërtetë të mirëqenies qytetare.

Mbi këtë mirazh progresi, Kurti akuzoi opozitën se po provon të errësojë atë që ai e konsideron sukses të qeverisë së tij:

"E kuptoni të dashur qytetarë, qysh fakteve tona pozitive ata mundohen, blloku opozitar, me shpifje, me gënjeshtra, ta shndërrojnë në atmosferë negative. Faktet që i paraqesim ne, e që janë pozitive, janë realiteti."

Fjalën e nisi me një pretendim për “rritjen e konsumit”, duke e paraqitur atë si dëshmi të suksesit. Për këtë u mbështet në një deklaratë të pasaktë për rritje ekonomike “rreth 4 për qind në vit”.

"Me trendin aktual të rritjes ekonomike nga 4 për qind në vit, ku për shembull, e këna gjet ekonominë 7 miliardë, sivjet ekonomia është 12 miliardë. Pse ekonomia është 12 miliardë?", tha ish-kreu i qeverisë.

Verifikim: Pretendimi i Kurtit nuk qëndron, pasi treguesit ekonomikë tregojnë ngadalësim dhe përkeqësim të trendit të rritjes.

Madje, kur krahasohet me periudhën 2016–2019, kontrasti bëhet edhe më i dhimbshëm për bilancin e qeverisë Kurti: në tri nga ato katër vite, Kosova shënoi rritje më të lartë sesa në secilin vit të periudhës 2022–2025 – me përjashtim të vitit 2021, vit në cilin qeveria Kurti mori pushtetin me BPV-në në rreth 16 për qind në tremujorin e parë.

Kurse rreth deklaratave të stërpërsëritura të Kurtit për për “12 miliardët”, nga një tubim në tjetrin, fshihet një nga manipulimet më flagrante.

Gjatë periudhës 2021–2025, Kosova u godit nga një nga valët më të rënda inflacioniste në dekada: inflacioni vjetor u ngrit nga 3.4 për qind në vitin 2021 në 11.6 për qind në vitin 2022, me kulm mujor prej 14.2 për qind në korrik të atij viti.

Inflacioni kumulativ pesëvjeçar arrin në afërsisht 30 për qind. Në vetëm pak vite, rritja e pandalshme e çmimeve tronditi buxhetet familjare, zbehu fuqinë blerëse dhe e bëri çdo shpenzim të përditshëm barrë të rëndë.

Për ta kompletuar mirazhin e ‘progresit ekonomi’, Kurti iu rikthye një prej mburrjeve më të shpeshta përgjatë mandateve të tij si kryeministër: “rritjes së eksporteve”.

"Për shkak se po rriten eksportet, po rriten investimet kapitale dhe po rritet edhe konsumi, prandaj po rritet ekonomia”, pretendoi Kurti.

Në katër vitet e qeverisjes Kurti, Kosova rrëshqiti drejt një hendeku strukturor në tregtinë e jashtme, me një bilanc kumulativ që nga viti 2020 e deri më sot ka tejkaluar shifrën marramendëse prej mbi 20 miliardë eurove.

Eksportet e mallrave u rritën nga 755.7 milionë euro në vitin 2021 në 920.4 milionë euro në vitin 2022.

Një vit më vonë ato ranë në 863.1 milionë euro, për t'u rikthyer në 941.3 milionë euro gjatë vitit 2024. Në vitin 2025 eksportet arritën në 942.1 milionë euro - praktikisht në të njëjtin nivel me një vit më parë.

Me rritjen masive të importeve, deficiti tregtar jo vetëm që nuk u ngushtua, por u zgjerua eksponencialisht.

Lajme të ngjashme