Ministrja Hajdari ka gënjyer për aksidentin me fëmijën, e thotë policia - NACIONALE

Ministrja Hajdari ka gënjyer për aksidentin me fëmijën, e thotë policia

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Pak çaste më parë, ministrja Hajdari reagoi lidhur me një aksident të shkaktuar gjatë ditës së sotme, saktësisht në orën 12:25 në rrugën "Vicianum" në Arbëri.

Përmes rrjetit social "Facebook" ajo tha se fëmija u përplas për veturën e saj, përcjell Gazeta Nacionale.

"Për hir të informimit te drejtë, sot në mesditë në rrugën Vicianum në lagjen “Arbëria” të Prishtinës, gjersa po kthehesha me veturën time personale për në banesë, gjatë vozitjes sime pranë Meridian Market, papritmas u shfaqën dy fëmijë në vrapim për të kaluar rrugën, ku fatkeqsisht njëri nga ta u përplas në veturën time.Me shqetësim menjëherë kam reaguar, duke i ofruar ndihmë fëmiut dhe kam lajmëruar Policinë të cilët janë marrë me gjithë evidencën e rastit.Ndjehëm më e lehtësuar, që pas ekzaminimeve mjekësore, fëmiu nuk pësoi lëndime të rënda dhe është kthyer në shtëpi.Fëmiut i uroj shëndet e jetë të gjatë!", thuhej në reagimin e saj.

Megjithatë, raporti i policisë, i siguruar nga Demokracia, thotë se ajo po gënjen.

Sipas policisë, shpejtësia ishte e papërshtatshme.

Raporti i Policisë pa ndërhyrje:

“Me datë 10.04.2022 rreth orës 12:25 në rrugën “Vicianum” në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Auto 1 Ford Fiesta ngjyrë e kaltër, shofer Rozeta Hajdari FSHK e lindur ***. Këmbësori i lënduar I.B. i lindur me ** 2012 në Prishtinë. Shkaku i aksidentit, mospërshtatja e shpejtësisë kushteve të rrugës”, thuhet në raportin zyrtar.
Çka ndodhi dhe pse krejt kjo është problematike?

Sot rreth orës 12 e 30 të mesditës, ministrja Rozeta Hajdari do të përfshihej në një aksident trafiku në lagjen “Arbëria” (ish Dragodan).

Ajo me veturën e saj do të shkelte një fëmijë nëntë vjeçar.

Gazeta Nacionale prej asaj kohe kishte provuar vazhdimisht të merrte e konfirmonte informacionet nga autoritetet relevante – Policia e Kosovës, Qendra Klinike Universitare (QKUK) dhe vetë ministrja – por çuditërisht nuk kishte arritur ta bënte një gjë të tillë.

Askush nuk denjoi të jepte përgjigje për këtë rast.

Fëmija 9 vjeçar do të dërgohej në Emergjencë për t’u trajtuar pas lëndimeve të pësuara. Për shkallën e këtyre lëndimeve nuk dihet asgjë deri më tash.

Nga Ministria që znj. Hajdari drejton - ajo e Ndërmarrësisë, Industrisë dhe Tregtisë – u tha për gazetaren e Nacionales vetëm që “ishte ditë pushimi” dhe se nuk kishin informacione për rastin.

Rozeta Hajdari do të reagonte për aksidentin vetëm nëntë orë më pas. Ajo do të bënte një reagim në profilin e saj në Facebook, e në të cilin do të jepte një arsyetim – që më e pakta – po e quajmë “të përçudshëm”.

Ajo në këtë shfajësim thoshte se “fëmija ishte përplasur për veturën e saj duke vrapuar” duke nënkuptuar kësisoji se nuk kishte pasur kurrfarë faji për shkeljen e tij.

Në versionin e edituar të saj, shkruan ndër tjerash si vijon:

“papritmas u shfaqën dy fëmijë në vrapim për të kaluar rrugën, ku fatkeqsisht njëri nga ta u përplas anash në veturën time.”

Më tej, ministrja Hajdari tregonte se ky aksident i shëmtuar trafiku kishte ndodhur në afërsi të Meridian Express në lagjen Arbëria. Në rrugën në fjalë (Vicianum) shpejtësia e lejuar është vetëm 20km/hr – meqë është zonë rezidenciale – dhe mundësitë që një fëmijë t’i përplasej për veture – sado qesharak të tingëllojë arsyetimi – janë të barabarta me zero.

R E A G I M E T

Pas pranimit publik të këtij aksidenti, kanë pasuar menjëherë reagimet nga zyrtarë publikë të vendit.

Veçanërisht i ashpër ishte zyrtari i LDK-së, Besian Mustafa, i cili u shpreh si vijon:

“A jeni në tokë të bukës, hej?! Ministrja shkelë me veturë një vajzë 9 vjeçare midis Prishtinës dhe të gjitha institucionet po tentojnë ta fshehin raston ndërsa ajo vazhdon me qenë ministre.”

Për fat të keq, z. Mustafa ka të drejtë, dhe heshtja institucionale karshi këtij aksidenti që ka të përfshirë një njeri me pushtet është dhe duhet të jetë shurdhuese për secilin prej nesh.

Një reagim me cinizëm për rastin e pati edhe ish zëvendësi i ministres Hajdari, z. Edison Jakurti.

“Domethënë fëmiu e ka përplas veturën, e jo vetura fëmiun.” – shkroi ai.

Faqja Demokracia tashmë ka siguruar raportin zyrtar nga Policia e Kosovës dhe në të cilin shkruan se në rrugën “Vicianum” në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime

“Auto 1 Ford Fiesta, ngjyrë e kaltër, shofer Rozeta Hajdari. Këmbësori i lënduar I.B. i lindur më 2012 në Prishtinë. Shkaku i aksidentit: mospërshtatja e shpejtësisë kushteve të rrugës.”

Nuk dihet se cilat janë masat e marra nga Policia e Kosovës ndaj znj. Hajdari deri më tash.

Lajme të ngjashme