Ministrja e Drejtësisë me llafet e Rrustemit dhe Sallahut: A po aludon se ambasadorët po bëjnë presion në Gjykatën Kushtetuese?
Ditë më parë bëri bujë një deklaratë e deputetit të VV-së, Adnan Rrustemi.
Ky i fundit akuzoi ambasadorët se me vizitat e tyre në Gjykatën Kushtetuese po bëjnë presion, para vendimit për dekretin rreth presidentit.
Megjithatë, Rrustemi nuk po del i vetmi. Madje, një gjë të tillë e la të kuptohet edhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Në një intervistë mbrëmë në RTK, Gërvalla tha se ka disa akterë që po bëjnë presion.
“Nuk dua të komentoj Gjykatën Kushtetuese, sepse nuk dua të jem pjesë e presioneve. Mjaftueshëm po i bëjnë disa akterë të tjerë presion Gjykatës Kushtetuese, jo unë. Si ministre e Drejtësisë jam shumë e kujdesshme në këtë pjesë, gjë që nuk do të thotë se veprimet e gabuara të gjykatës nuk i komentojmë. Ne kemi dëshmuar se i zbatojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese edhe në rastet kur nuk na pëlqejnë. Mirëpo, ky është shteti ligjor. Kur e thotë fjalën e vet Gjykata Kushtetuese nuk ke më mjete juridike për ta hedhur poshtë dhe si qeveri e pranon dhe duhesh të vazhdosh punën. Shumë shpresoj që të dilet nga kjo rrugë, e cila përndryshe do të krijojë një rreth vicioz, me të cilin do të sillemi me muaj e vite të tëra pa gjetur zgjidhje”, tha Gërvalla.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, u ka bërë thirrje disa ambasadorëve që të mos ndërhyjnë në punën e Gjykatës Kushtetuese përmes vizitave, takimeve apo formave të tjera të ndikimit.
Përmes një postimi në Facebook, Rrustemi theksoi se çdo ndërhyrje e mundshme në institucionin më të lartë të interpretimit të Kushtetutës do të dëmtonte rëndë pavarësinë e tij.
“I lus disa ambasadorë që të mos e shkatërrojnë Gjykatën Kushtetuese me vizita, takime e ndërhyrje, sepse dëmet për vendin tonë do të jenë të pariparueshme”, ka shkruar Rrustemi në Facebook.
Deklarata e tij kishte nxitur shumë reagime. Atij i doli në mbështetje edhe Blerim Sallahu.
“Historikisht nuk është për t’u çuditur, sepse ne e dimë se ka pasur ndërhyrje të tilla, qoftë në gjykatë, qoftë në institucione të tjera. Ju e dini nga kush, sepse në këtë shtet po jetojmë. Ka pasur ndërhyrje të ambasadorëve në shumë situata konkrete brenda institucioneve të Kosovës, nuk është diçka e jashtëzakonshme”, deklaroi Sallahu.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerot ka thënë se nuk ka koment rreth deklaratave të deputetit të Vetëvendosje Adnan Rrustemi.
Ky i fundit në një shkrim pretendoi se vizitat e disa ambasadorëve shkatërrojnë Gjykatën Kushtetuese.
“Nuk kam asnjë koment. Faleminderit. Dhe të mos kesh një koment, është një koment”, tha ai.