Ministria e Shëndetësisë: Uji për pije në territorin e komunës së Pejës është i sigurt
Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë kanë dal me një komunikatë të përbashkët për media pas vërshimeve në Qytetin e Pejës.
Sipas njoftimit uji për pijë në Pejë është i sigurt dhe brenda standardeve të parapara.
“Uji për pije në territorin e komunës së Pejës është i sigurt dhe brenda standardeve të parapara.” – thuhet në njoftim.
MSh dhe IKSHPK ka njoftuar se përpos komunës së Pejës, vërshimet nuk kanë prekur komunat tjera të zonës së mbulueshmërisë, Deçan, Klinë, Junik dhe Istog.
“Peja, si komunë e prekur nga vërshimet, që nga fillimi i shfaqjes së periudhës së krizës si pasojë e reshjeve, në aspektin e burimeve të ujit dhe sistemit të rrjetit furnizues ka qenë dhe mbetet në kontroll të ekipeve të përbashkëta të mbikëqyrjes së cilësisë, kualitetit dhe furnizimit.” – thuhet në njoftim.
Tutje është bërë e ditur se ekipet mbështetëse të KRU 'Hidrodrini', sot janë ndarë dhe mbeten në terren për ndërhyrje eventuale të lokalizuara.
“Në takimin e përbashkët të orës 12:00 sot, të Kreut të 'Hidrodrini', përfaqësuesve të Njësisë së ujërave nga IKSHPK, Drejtorisë së IRSHP-së Pejë dhe të përgjegjësve për shërbimin e ujërave në IRSHP-Pejë, bazuar edhe në të dhënat laboratorike, është ri-konstatuar situata nëpër burime dhe sistem si e qetë dhe e menaxhueshme, me përjashtim të paraqitjes së rënies së nivelit të shtypjes në pompën kryesore të qytetit dhe menjëherë janë aktivizuar kapacitetet ndihmëse me çfarë furnizimi mbetet stabil.” – thuhet në komunikat.
Ekipet e IKSHPK, QRSHP KRU “Hidrodrini” në Pejë janë në kontakt të vazhdueshem me të gjitha ekipet relevante në teren, dhe për çdo ndryshim eventual qytetarët dhe institucionet do të njoftohen në kohë reale.
