Ministri serb i Mbrojtjes: Serbia ka vijat e saj të kuqe, tash të gjithë i dinë
Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, ka deklaruar gjatë ditës së sotme se situata në të cilën ndodhet vendi nuk është e “thjeshtë” por se për të nuk duhet “qarë”.
“Serbia i ka vijat e saj të kuqe dhe ato janë shumë të dukshme sot dhe të qarta për të gjithë... Është një supozim tmerrësisht i gabuar të thuhet që Serbia nuk e di se çfarë po bën, se nuk ka plane, sepse ka.” – ka pretenduar z. Vuçeviq.
Ai shtoi më tej se ishte e dhimbshme dhe e pakëndshme të uleshe në tavolinë negociatash “me njerëz si Kurti.”
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme presidenti serb Aleksandër Vuçiq u shpreh se duhej të respektohej edhe marrëveshje e Selanikut e vitit 2003 ku ekzistonte një klauzolë që kërkonte zbatimin e Rezolutës 1244.
Pikërisht këtë Rezolutë të OKB-së po e përdor Serbia për të arsyetuar ambiciet e saj ushtarake ndaj Kosovës, pasi që së fundi ka kërcënuar edhe me rikthimin e ushtrisë në Kosovë.