Ministri Maqedonci: Trupat e ushtrisë serbe në kufi janë mesazh i Vuçiqit ndaj Kosovës
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se dislokimi i ushtrisë serbe në kufirin me Kosovës është një mesazh i Aleksandër Vuçiq ndaj Kosovës.
Në një intervistë për Euronews Albania, Maqedonica është shprehur se kjo ka ardhur si shkak i humbjeve që kanë pasur eksponentët e Vuçiqit paraushtarakë në veri.
“Gjendja e sigurisë në territorin e Kosovës është e qetë, por vazhdon të jetë e tensionuar në pjesën kufitare ku kemi pasur një zbarkim të trupave ushtarake serbe që vlerësoj që është një dërgim mesazhi i politikës së Vuçiq për Kosovën për shkak të humbjeve që kanë pasur eksponentët e tij paraushtarakë në veri." – ka thënë ai.
Tutje ministri i Mbrojtjes ka thënë se Qeveria e Kosovës ka siguruar prova dhe fakte që vërtetojnë se ajo që ndodhi të dielën në Banjskë nuk ishte një sulm terrorist por një plan i mirëorganizuar ushtarak për të pushtuar një pjesë të territorit në veri të Kosovës.
