Ministri Latifi tregon nëse do të shkarkohet Valbon Krasniqi
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, në pjesën për pyetje parlamentare ka pyetur ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi për punën e Bordit të SHSKUK-së dhe shkarkimin e drejtorit, Valbon Krasniqi.
Haxhiu e pyeti Latfin se a do të shkarkohet drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.
Ndërsa përgjigja e ministrit nuk ishte e prerë. Ai tha se ka kërkuar një raport për keqpërdorimet që janë bërë dhe në bazë të tij do të marrin masat e nevojshme.
“Bordi i SHSKUK tash është plotësu, kanë filliu me i mbajtë takimet, pres një analizë për ato që po thuani ju dhe pastaj do të marrim masat e nevojshme, por nuk mund të flas për çështje të tjera që janë në prokurori a në organe tjera pa e pasë një raport final”, ishte përgjigja e ministrit Latifi.
Ndryshe në media u raportua se Valbon Krasniqi do të shkarkohet nga pozita e drejtorit të SHSKUK-së, mirëpo kjo gjë nuk ndodhi.
Në anë tjetër, deputeti Haxhiu ka thënë sot se Qeveria Kurti nuk po ka guxim të shkarkojë Krasniqin pasi me shkarkimin e tij do te duhej të shkarkohej edhe Agreta Gashi që tash së fundi është shpërblyer me pozitë në Fondin e Sigurimeve nga Qeveria Kurti.
“Me sa duket Valboni nuk do të shkojë i vetëm”, ka thënë Haxhiu në fund të pyetje së tij në seancën në Kuvend.