Qysh refuzoi ministri grek të mbante konferencën me Gërvallën para logos "Republika e Kosovës"?
Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, ka refuzuar që sot të mbajë një konferencë për media pas bisedës që ka pasur me ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvallën ka raportuar Ekonomia-Online.
Si arsye përmendet një logo me mbishkrimin “Republika e Kosovës”.
“Kjo bëri që të ndryshojë vendi ku zakonisht mbaheshin konferencat me mysafirët në Ministrinë e Punëve të Jashtme.” – shkruan kjo agjenci lajmesh.
Konferenca më pas ishte mbajtur në anën tjetër të sallës së konferencave në ndërtesën e MPJD-së.

Por, ministrat nuk u ndaluan as për fotografi siç është zakoni sepse në këtë hyrje po ashtu shkruhej “Republika e Kosovës”.
Ky lajm më pas është komunikuar edhe nga mediumi serb nga Kosova, Kosovo-Online.
Kryediplomati 63 vjeçar grek po qëndron sot në një vizitë në Kosovë, derisa çështja e njohjes së Greqisë për Pavarësinë e Kosovës është përmendur shpesh gjatë këtyre dy viteve të fundit.
“Para disa muajve ishte vizita ime këtu tash po vijë shpesh këtu. Vizita ime këtu nënvizon rendësinë që Greqia ka për rajonin. Sot biseduam në nivelin bilateral dhe sesi i mund të bashkëpunojmë në fusha të ndryshme,” tha Dendias ndërkohë gjatë kësaj konference.
“Mund të them se BE-ja është destinacioni përfundimtar për të gjithë. Biseduam për bashkëpunimin në aspektin energjetik, Greqia është e gatshme ta ndihmojë Ballkanin Perëndimor dhe që ju të jeni të pavarur dhe të largoheni nga thëngjilli,” - ka përfunduar ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë në disa simpoziume e forume në Greqi ku ka shfrytëzuar rastin të takohet me funksionarë e ish funksionarë të lartë të shtetit grek.
Sidoqoftë, ky veprim nga z. Dendias duket se nuk tregon për një qëndrim më të zbutur nga shteti i pestë i Bashkimit Evropian që nuk njeh Kosovës pikërisht për statusin e Kosovës.
Kryeministri Kurti e kishte takuar kryediplomatin grek Dendias edhe para pesë muajve gjatë vizitës së tij në Greqi e më pas edhe para gjashtë muajve.
Kjo nuk është e para herë që z. Dendias ndodhet në Kosovë.
