Ministrat e Kurtit nuk dinë që po hetohen: Ndërkohë shefi i Task-Forës që po i hetonte u shkarkua
Pas një emisioni të realizuar nga Betimi për Drejtësi, e ku u bë e ditur se pesë ministra të qeverisë Kurti II, po hetohen për korrupsion e vepra të tjera penale, ka pasur shumë reagime.
Vetë ministrat e Kurtit po del se “nuk janë në dijeni” për hetimet që po bëhen ndaj tyre. Kjo pavarësisht se shefi i Task-Forcës Anti-Korrupsion që po i hetonte pesë ministra, Martin Berishajn e Nagip Krasniqin, është shkarkuar.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka deklaruar se nuk është ftuar nga Prokuroria e Shtetit lidhur me rezervat shtetërore.
Ajo shtoi se nuk është në dijeni nëse është nën hetime apo jo, raporton Ekonomia Online.
“Unë nuk jam ftuar asnjëherë nga askush për asgjë. Nuk e di që jam nën hetime”, tha Hajdari.
Se nuk është në dijeni që po hetohet kishte thënë edhe ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
“Sapo e kuptova nga portali 'Betimi për Drejtësinë', që qenkam nën hetime. Deri më tani nuk kam qenë në dijeni e as që jam ftuar nga ndonjë institucion hetues. Ajo për çka jam i sigurt është që për herë të parë komunitetet po mbështeten seriozisht nga Qeveria. Ligji, transparenca dhe puna e ndershëm është baza e çdo vendimi tim. Mbesim të përkushtuar për të përmirësuar kushtet e jetesës së qytetarëve e në veçanti atyre që kanë më së shumti nevojë”, shkroi ai.
Kurse zv/ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha se në tenderin për tiketa ngjitëse për çka po hetohet, nuk ka pasur asnjë shkelje.
“Le të hetojnë çfarë të duan jo vetëm për këtë rast por për çdo gjë që nga dita e parë kur kam filluar punën. Ka kaluar një vit e katër muaj prej kur kemi filluar me aplikimin e tiketave ngjitëse me zero kosto për qytetarët. Si rezultat i saj dhe masave tjera sot automjetet e paregjistruara në Kosovë kanë rënë nën pragun prej 5%. Ky ka qenë kriteri kryesor për kartonin e gjelbërt. Tashmë i kemi plotësuar të gjitha kriteret teknike dhe jemi në rrugë të mbarë që të bëhemi pjesë e kartonit të gjelbërt. Të tjerat janë të parëndësishme për mua sepse nuk kam bërë asnjë shkelje ligjore dhe rezultatet janë të matshme”, shkroi Durmishi.
Cilët ministra dhe për çka po hetohen?
Ministri i Financave, Hekuran Murati po hetohet në lidhje me rastin e dëmtimit të mësimdhënësve, të cilëve dyshohet se në mënyrë të kundërligjshme ua kishte ndalur pagat gjatë kohës së grevës.
Për këtë rast, ishte bërë kallëzim penal, të cilin Task Forca po e heton. Ministri Murati është ftuar nga Task Forca që të intervistohet në hetuesi në cilësinë të të dyshuarit, por ai ka refuzuar, duke kërkuar që të intervistohet në zyre të tij. Hetuesit e Task Forcës nuk e kanë pranuar kërkesën e Muratit.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla është ministrja tjetër që po hetohet nga Task Forca e policisë, së bashku me zëvendësministren Liza Gashi dyshohen për dhënien e 1 milion e 40 mijë eurove për “Caritasin Zviceran”, ku kjo e fundit, ka angazhuar për kryerjen e shërbimeve OJQ-në Germin, në të cilën Liza kishte qenë drejtoresh para se të bëhej zëvendësministre. Deri tash i janë paguar “Caritasit 344 mijë euro
Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në një rast që po hetohet nga Task Forca, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për shkak se dyshohet se në një rast ku në mënyrë të kundërligjshme rreth 300 mijë euro janë shpenzuar për projekte për minoritetet.
Ministrja e Ekonomisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, është ministrja e radhës që po hetohet nga Task Forca, nën dyshimin se keqpërdorim të detyrës zyrtare për shkak të keqpërdorimit të rezerave shtetërore, përkatësisht në lidhje me blerjen e miellit dhe vajit, për të cilat është dëmtuar buxheti i shtetit.
Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku së bashku me disa zyrtarë të tjerë të lartë të kësaj ministie, është intervistuar nga Task Forca, nën dyshimin se kjo ministri ka dhënë një kontrate për konsulencë mbi 130 mijë euro, ku konsulenti i angazhuar si arkitekt vendor, paguhet 5 mijë e 550 euro në muaj.
As Ministria e Infrastrakturës e udhëhequr nga Liburn Aliu nuk ka mbetur pa u hetuar nga Task Forca antikorrupsion. Në këtë ministri po hetohet zëvendës ministri Hysen Durmishi, në lidhje me tenderin e tiketave, për të cilin pas nënshkrimit, ishte zbrapsur.
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berisha, ishte një ndër personat të cilët po i hetonte kjo Task Forcë.
Task Forca Anti-korrupsion e Majorit Shemsi Haziri e kishte inicuar vetë rastin ndaj Berishajt, të cilit edhe i kanë ngritur kallëzim penal nën dyshimin për shmangie tatimi, më pas hetimit janë zgjeruar edhe për shpërlarje të parave.
Hetimet për rastin Berisha janë në proces. Deri më tash hetuesia ka bërë disa vizita në disa shtete për hetimin e këtij rasti.

