Ministër Latifi takon në Turqi një kosovar të cilit s’mund t’i jepte shërim në Kosovë
Në shumë Klinika të QKUK-së, pacientët po detyrohen ende që të presin me muaj e me vite për të marrë një shërim mjekësor. Shteti ende nuk ka arritur që të krijojë një sistem të mirëfilltë shëndetësor për qytetarët e saj. Pa sigurime shëndetësore, pa infrastrukturë e me halle të shumta, kosovarët po vazhdojnë që të trokasin dyerve të spitaleve. Por çka ka bërë Qeveria Kurti 2 në një vit qeverisje në aspektin e shëndetësisë. Nacionale sjell përmbledhjen.
Qytetari nga Peja, A.K. ka disa ditë që po trajtohet në njërën nga spitalet e Ankarasë. Ai ilaç për sëmundjen e tij nuk ka arritur që të gjejë në Kosovë. E arsyet për këtë punë tashmë dihen.
Për ironi të fatit, në dhomën ku po qëndronte i shtrirë pacienti A.K. hyri një person me flokë të bardhë, kollare e me veshje solemne. Para këtij pacienti rastisi që të jetë ministri i shëndetësisë kosovare, Rifat Latifi.

Ky ministër i shtetit i cili për fat të keq nuk ka arritur që t’i gjejë shërim këtij pacienti i cili u detyrua që të udhëtojë mbi 1 mijë kilometra larg vendlindjes për të gjetur ilaç për sëmundjen e tij.
Po të kishte Kosova sistem të mirëfilltë shëndetësor, atëherë Latifi lehtësisht do të mund të shkonte ta takonte atë në QKUK që është veç 3 kilometra larg zyrës së tij. Por kjo nuk ndodhi.
Por sa është numri i kosovarëve që ia mësynë Turqisë e vendeve tjera për shërim?
Për dy muaj, ndihmë financiare nga shteti për shërim jashtë institucioneve shëndetësore kosovare kërkuan 203 persona. Nga ta, 154 persona mbi moshën 18 vjeç, e 49 të tjerët janë fëmijë.
Shumica nga ta, trajtimin shëndetësor po e kryejnë në Turqi. Ndoshta edhe në spitalin që e vizitoi ministi Latifi sot.
Në Turqi duke u trajtuar nga sëmundja e tij, ministri Latifi sot do të mund ta takonte edhe 20-vjeçarin Drilon Lubocvi nga Prizreni. Ky i ri, vuan nga sëmundja e quajtur “Paralizë Cerebrale”, për trajtimin e së cilës para një javë shkoi në Turqi me paratë e qytetarëve që janë mbledhur për ta shëruar atë.

Për cilat sëmundje po kërkohet më së shumti shërim?
Sfida më e madhe mbetet për fëmijët, të cilëve u duhet të kërkojnë shërim jashtë Kosovës. Sëmundjet malinje, leukemitë akute, operacionet e zemrës, janë vetëm disa nga sëmundjet që institucionet publike nuk po mund t’i ofrojnë në vend për fëmijët.
“Klinikat të cilat referojnë më së shumti janë: Pediatria (rastet kardiokirurgjie, leukemi dhe sëmundje te tjera malinje), Ortopedia, Radiologjia (sëmundje malinje), Oftalmologjia, dhe Kardiologjia”, thuhet në përgjigjen Fondit për Sigurime Shëndetësore dhënë gazetës Nacionale.