Minatorët mezi marrin pagat, pushteti e fajëson opozitën për gjendjen e rëndë në “Trepçë” - NACIONALE

Minatorët mezi marrin pagat, pushteti e fajëson opozitën për gjendjen e rëndë në “Trepçë”

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Askush nuk e merr përgjegjësinë për gjendjen e rëndë në “Trepçë”. Derisa minatorët mezi marrin pagat e tyre, pozita dhe opozita kanë akuzuar njëra-tjetrën për gjendjen e rënë në këtë kompani publike.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka fajësuar Qeverinë Kurti për gjendjen aktuale në kompaninë në fjalë.

Lekaj, i cili është anëtarë në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ka thënë se gjendja aktuale është për shkak të mungesës së mbështetjes qeveritare.

“Gjendja e sektorit të Trepçës tani e sa kohë nuk është e qëndrueshme për shkak të mungesës së përkrahjes nga Qeveria Kurti Sektori i energjisë, gjendja dhe problemet e Trepçës, e shtrenjtimi i energjisë janë tema që kjo Qeveri i ka lënë anash tani e 4 vite”, ka thënë Lekaj për “Front Online”.

Ai ka treguar se opozita vazhdimisht ka adresuar kërkesat e minatorëve, por ato nuk janë marrë parasysh nga ekzekutivi.

“Ne si deputet dhe opozitë i kemi kërkuar në vazhdimësi edhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Kryeministrit, që të përmirësojë kushtet e Minatorëve, veshmbathjet e tyre, pagat dhe makineritë e punës, por ka qenë e kotë sepse Minatorët dhe Trepça nuk po shiten për konsum publik e votë të qytetarëve. Kjo Qeveri jep maksimumin për tema te lehta që marrin votë si psh, lëmoshat të herë pas hershme ndaj qytetarëve”, është shprehur deputeti i AAK-së.

Por, ndryshe mendon deputeti i VV-së, Halil Thaçi.

Ai ka theksuar se për gjendjen aktuale të kësaj kompanie fajet i kanë qeveritë e kaluara.

Ndonëse Qeveria ka hyr në vitin e katër të mandati të saj, Thaçi vazhdon të thotë që Qeveria Kurti nuk ka përgjegjësi për gjendjen aktuale të ndërmarrjes.

“Në Trepçë kanë ndodhur ndërrimet e menaxhmenteve. Duhet me besuar që ka vite që nga paslufta që është keq-menaxhuar me të. Trepça gradualisht nuk është se mund të ngritët shpejtë, po gradualisht do të ngritët me investimet dhe me mbështetjen e Qeverisë. Unë kam qenë atje, i kam parë problemet nga afër dhe besoj që me përkrahjen e Qeverisë do të ngritët”, është shprehur Thaci në një prononcim për “Front Online”.

Sipas tij, opozita nuk ka kredibilitet të flet për këtë ndërmarrje.

“Qeveritë e më hershme e kanë shkatërruar dhe nuk ka qenë e mundur që për tri vite të vije aty ku duhet Trepça. Opozita nuk ka as kredibilitet me fol për Trepçën. I vetmi sukses që opozita për sa kohë e ka qeverisë vendin është shitja e mbeturinave të Trepçës e ne e dijmë me çfarë çmimi janë shitur mbeturinat e saj. I vetmi mision dhe vizion i opozitës ka qenë privatizimi i saj. E kisha lutë opozitën, mos me fol bre për Trepçën se nuk kanë kurrfarë kredibilteti me fol për të”, ka thënë Thaçi.

Pagat në disa pjesë

Gjendje e ndërmarrjes është renduar kohëve të fundit. Për këtë arsyeje edhe minatorët kanë pasur vështirësi t`i marrin paga e tyre.

Një ditë më parë, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Treçës, Ibrahim Jonuzi, ka treguar me sfidat që po përballen me minatorët.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka thënë se pagat eminatorëve po jepen me vonesa të mëdha.

“Vetëm 40% e pagës ka dalur sot. Ka dalë ditën e hënë, por për shkak të festës nuk janë bërë transaferet bankare, përveç bankës NLB e cila është llogari e drejtpërdrejt, veç kur ka pas llogari në NLB ka dalur 40%, sepse ka qenë kohë e shkurtër, ora ka qenë 15:30 kur kanë dalur, dhe nuk kanë arritur me u bo transferet bankare në bankat e tjera ku i kanë pasur minatorët llogaritë. Sot menaxhmenti ka konfirmuar që edhe një 30% do të dalë sot, më së largu deri nesër, kurse pjesën tjetër gjatë javës në vazhdim u dakorduam me u kry obligimet e plota ndaj minatorëve”, ka thënë Jonuzi për Nacionalen.

Ai ka theksuar se gjendja është tejet e rënduar në ndërmarrje, pasi muajin e kaluar nuk ka pasur prodhim si rezultat i mungesës së furnizimeve.

“Prej grevës tetor e këndej është arrit stabilitet, por ndërmarrjen e kanë pru në gjendje të rëndë financiare dhe po ka shumë probleme. Muajin e kalum ka pasur mungesë të eksploatimit të trupave xehrore për shkak të mosfurinizimeve të minierës, ka pasur vetëm riparime, remonte në eksploatim s’kemi mujt për shkak të mungesës së furnizimeve”, është shprehur Jonuzi.

I pari i minatorëve bëri të ditur për Nacionalen se pakënaqësi sa po vjen e po shtohet.

“Absolutisht ka pakënaqësi të mëdha, sepse e kanë pru gjendjen me fol veç për paga, pavarësisht kushteve ekstreme, sepse koha më e mirë do të ishte me fol për siguri më të lartë e për kushte të punës, mirëpo kanë pru në gjendjen që minatorët me harru sigurinë e shëndetin në punë, me fol veç për realizimin e pagës”, deklaroi Ibrahim Jonuzi.

Ai theksoi se marrëveshja e sotme me menaxhmentin ka zbutur pakënaqësitë, megjithatë sipas tij, nëse nuk kryhen obligimet, përgjegjësia është mbi udhëheqësit e ndërmarrjes.

“Kemi arritur një dakordim me menaxhmentin që deri në javën e ardhshme me u kry të gjitha obligimet, nëse nuk i kryejnë përgjegjësia do të bie mbi menaxhmentin, sepse minatorët kanë dhënë kohë për me vepru. Dhe përgjegjësia është e menaxhmentit me i kry obligimet”, përfundoi Ibrahim Jonuzi.

Gjendjen e rënduar në Trepçë e ka konfirmuar edhe kryeshefi, Bashkim Kurti. Ai ka thënë se vetëm gjatë muajit shkurt janë shënuar 700 mijë euro humbje.

Deri me tani, minatorët e Trepçës disa herë kanë protestuar dhe kanë mbajtur greva urie, duke kërkuar realizimin e të drejtave të tyre.

Lajme të ngjashme