“Millosheviq i vogël”: Reagime të ashpra pasi Vuçiq shpalosi disa kërkesa ndaj Kosovës
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në mbrëmjen e së premtes ka mbajtur konferencë për media, përmes seciles ka paraqitur shtatë ‘kërkesa’ ndaj Kosovës, ndër të cilat, ai ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri, kthimin e serbëve në institucione, si edhe krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Fjalimi i Vuçiqit para mediave u përcjell me kritika të ashpra nga figurat e ndryshme politike në vendin.
Kryediplomatja, Donika Gërvalla përmes një postimi të gjatë ka kritikuar presidentin serb, duke thënë se Vuçiq gjatë konferencës tregoi se nuk e ka ndër mend të ndalë instrumentalizimin e serbëve të Kosovës dhe interesave të tyre, duke i shfrytëzuar për politikë ditore dhe përfitime financiare.
Ajo tutje ka thënë se Vuçiq është duke kërkuar kthimin në gjendjen e mëparshme, pa treguar madje së paku arsyet e largimit dhe bojkotimit të institucioneve.
“Tani, duke qenë plotësisht i ndërgjegjshëm që personat, të cilët me urdhër të tij janë përfshirë në vepra penale, krime dhe akte të dhunshme në Kosovë tashmë nuk mund të luajnë asnjë rol në jetën publike dhe institucionale të Kosovës, kërkon kthimin në gjendjen e mëparshme, pa treguar madje së paku arsyet e largimit dhe bojkotimit të institucioneve.”
Gërvalla ndër të tjera i ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të dënojnë gjuhën agresive dhe armiqësore të Vuçiqit.
“Faktorëve ndërkombëtarë u bëjmë thirrje të dënojnë me gjuhë të qartë dhe qëndrime të vendosura qasjen, sjelljen dhe gjuhën agresive dhe armiqësore të Aleksandër Vuçiçit karshi Republikës së Kosovës.” – ka shkruar ajo në Facebook.
Ndërsa, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se për situatën e rënduar në veri të Kosovës, përgjegjës kryesor është presidenti serb.
Ai tutje ka thënë se kërkesat e tij, janë veç vazhdimësi e luftës së tij kundër Kosovës.
“Për situatën e rënduar në veri të Kosovës, përgjegjësi kryesor është presidenti serb. Ai ka sabotuar çdo nismë për vendosjen e normalitetit dhe integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Ai e ka minuar procesin e dialogut për njohje. Ai i ka urdhëruar serbët lokal të braktisin jetën institucionale. Ai i ka urdhëruar ata t'i braktisin zgjedhjet. Ai i ka mbështetur grupet kriminale dhe i ndikuar edhe nga Rusia, ka hartuar skenar për destabilizimin e Kosovës. Prandaj kërkesat e tij sot, janë veç vazhdimësi e luftës së tij kundër Kosovës.” – ka shkruar Haradinaj.
Profesori universitar Milazim Krasniqi ka thënë se fjalimi i presidentit serb ishte me tone të vajtimit dhe kërcënimit.
Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka shkruar se gjerat që ka thënë i pari i shtetit serb janë pallavra.
“Fjalimi i djeshëm i Aleksandër Vuçiqit ishte me tone të “zallopojkes” (vajtimit), të kërcënimit, të idesë së restaurimit. Pallavra në stilin se “Kosova është fjala më e shtrenjtë” është e njëjtë me të nazistëve dhe klerofashistëve serbë. Është mendim absurd. Është si të thuash për një ushqim se të pëlqen më së shumti, ndërsa vjell mbi të. Kërkesat e tij dëshmuan dy gjera: e para, gabimin katastrofal të Vuçiqit kur u ka kërkuar serbëve të largohen nga institucionet. E dyta, pritshmërinë joreale që ka për të ardhmen. Ky teveqel nuk po arrinë të kuptojë se Kosova është shtet, edhe pse vetë e konfirmoi se e kanë njohur 112 shtete, si shtet të pavarur. Nga ana tjetër, statusi special social për Kosovën dhe formimi i prokurorisë për Kosovën janë tentativa idiotike, sepse nuk mund të zbatojë një shtet aso politikash në një shtet tjetër”, ka shkruar Krasniqi.
Në lidhje me kërkesat e Vuçiqit ndaj Kosovës, të paraqitura dje në konferencë për media ka reaguar edhe, Burim Ramadani, analist i sigurisë dhe politikës, duke e ka quajtur Vuçiqin “Millosheviq të vogël dhe pa dhëmbë”.
Tutje, Ramadani ka vlerësuar se Kosova nuk frikësohet.
“Kosova nuk frikësohet nga dhëmbët e Vuçiqit. Në të njëjtën kohë, veprimet e Kosovës duhet të jenë në bazë të planifikimeve afatgjata dhe të mos ndikohen në asnjë rast nga panikat vendimmarrëse të caktuara” – ka shkruar Ramadani, ndër të tjera.