Mijëra punëtorë ‘pushtojnë’ sheshet e Prishtinës, kërkojnë realizimin e kërkesave nga qeveria - NACIONALE

Mijëra punëtorë ‘pushtojnë’ sheshet e Prishtinës, kërkojnë realizimin e kërkesave nga qeveria

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Mijëra punëtorë kanë ‘pushtuar’ sheshet e kryeqytetit pasi iu përgjigjën thirrjes së Bashkësisë së Sindikatave të Parvarura të Kosovës (BSPK) për protestë.

Marshi protestues ka nisur nga sheshi “Zahir Pajaziti” në drejtim të objektit të qeverisë në sheshin “Ibrahim Rugova”.

Slogani i protestës i drejtohej kryeministrit me një kërcënim se do të ketë edhe grevë tjetër.

Kryeministër, realizo kërkesat tona. Parandalo grevën e përgjithshme.

Protestës i printe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, me një buzëqeshje në fytyrë.

Ndërkohë që fotografitë tjera të Nacionales tregojnë numrin e madh të protestuesve që iu përgjigjën thirrjes së BPSK-së.

Jashari gjithashtu pati një mesazh për kryeministrin e Kosovës. I pari i SBASHK-ut i tha Kurtit se është turp të qëndrojë në SHBA, e të mos përballen me punëtorët e shtetit të tij.

Gjithashtu, Jasharaj premtoi nëse nuk punohet në plotësimin e kërkesave të sindikatave, grevat do të vazhdojnë.

“BSPK tani nuk është e vogël, por shumë e madhe. Qeveria sot po e sheh se nuk po flet Rrahmani, por punëtoria e Kosovës. Rrnoftë punëtoria e Kosovës. Qeveri këta janë njerëzit tu, i kanë sytë drejt teje. Turp të qëndroni në Amerikë e të mos dilni këtu e ta thoni të vërtetën para këtyre njerëzve që po rrinë në diell. Pas kësaj proteste, do të ketë veprime edhe më të rënda të cilat ne nuk i duam, por ju si duket po i doni. Heshtja e qeverisë, dhe ikja nga dialogu i bie që ne kemi të drejtë. Ne duam Ligjin e Paga, një që e punojmë edhe ne. Qeveria le të tregohet që është e tillë. Këta janë njerëz që në vitet e 90’ta i thanë pushtuesit jo. Shteti po tallet me ta. Ne jemi këtu, ose do të bisedojmë ose do të shkojmë me greva të përgjithshme”, tha Jasharaj.

Ndërsa kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli kërkoi nga qeveria rritje page prej 10 eurove për të gjithë të punësuarit brenda Kosovës.

“Jemi mbledhur këtu për t’ia përkujtuar partnerit tonë social qeverisë, se ne të punësuarit presim vëmendjen e tyre, punë e veprime dhe përmbushjen e premtimeve për të cilat i kemi zgjedhur. Mos na shpërfillni dhe hapnani derën e dialogut social. Shqetësimet tona janë reale, janë të përbashkëta, janë shqetësime të cilat njihni edhe ju. Kërkojmë hartimin si duhet por jo të ngadalësuar e të zvarritur të Projektligjit për paga që tashmë duhej të ishte miratuar dhe kësisoj do të rregullonte sistemin e pagave ashtu si duhet por mospërfillja dhe shpërfillja nuk ju lënë. Jemi këtu që t’i themi se deri sa kjo të ndodhë e duam dhe kërkojmë arsyeshëm rritjen e pagës prej 100 euro për të gjithë punësuarit e Republikës së Kosovës. Kjo kërkesë është e arsyeshme dhe minimale për të punësuarit të cilëve u është vështirësuar jeta. Ju partneri ynë social, qeveria e Kosovës e keni bazën e mëkimit dhe të kujdesit për punëtorin sepse ju e dini, se ne jemi shtylla e këtij vendi dhe shtyllat e bëjnë kulmin. Kur shtyllat shemben, edhe kulmi do të bjerë”, ka thënë Hykolli.

Lajme të ngjashme