Meta: Rama nuk mund ta luajë rolin e patronazhistit mbi Kosovën
Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i ka reaguar kryeministrit Edi Rama, i cili sot ka njoftuar se ka dorëzuar te Franca dhe Gjermania një draft-statut për Asociacionit.
Meta ka thënë se qeveria shqiptare në asnjë rast nuk duhet të flasë apo të propozojë politika që duhen zbatuar brenda në Kosovë, pa u konsultuar me institucionet e Kosovës.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se nuk ka nevojë për ndërhyrje të njëanshme dhe jotransparente të Shqipërisë, të cilat përkeqësojnë situatën.
“Situata e krijuar në mes të Serbisë dhe Kosovës mund të ndihmohet nga Shqipëria vetëm përmes komunikimit të drejtpërdrejtë e konstruktiv me institucionet e Kosovës dhe Kryeministrin Kurti. Nuk ka nevojë për ndërhyrje të njëanshme dhe jotransparente, të cilat acarojnë apo përkeqësojnë situatën, e cila paraqitet delikate. Qeveria shqiptare në asnjë rast nuk duhet të flasë apo të propozojë politika që duhen zbatuar brenda në Kosovë, pa u konsultuar paraprakisht me Kryeministrin dhe institucionet legjitime në Kosovë”, ka shkruar Meta.
Sipas tij, Rama nuk duhet ta luajë rolin e patronazhistit mbi Kosovën.
“Z. Kurti ka treguar vazhdimisht përgjegjësi dhe vullnet të palëkundur për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ndërsa tek Z. Vuçiç nuk e kemi parë në asnjë rast një gjë të tillë, përkundrazi një sërë veprimesh të tij kanë demonstruar të kundërtën. Z. Rama, nëse do të donte të luante një rol mund ta bënte këtë, jo duke luajtur rolin e patronazhistit mbi Kosovën, por vetëm duke i kërkuar Beogradit nënshkrimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit dhe zbatimin e tyre, njohjen e Kosovës nga Serbia dhe heqjen dorë nga strategjia e tensionimit të vazhdueshëm të situatës”, ka shkruar Meta.