Mësimdhënësit pa paga, deputetët shpenzuan gati 60 mijë euro për udhëtime e dreka për pesë muaj - NACIONALE

Mësimdhënësit pa paga, deputetët shpenzuan gati 60 mijë euro për udhëtime e dreka për pesë muaj

1 vit më parë

nga Besian Beha

Është data 6 dhe pagat për më shumë se 25 mijë mësimdhënës nuk janë ekzekutuar. Për këtë çështje, deputetët të premten e ftuan në interpelancë ministrin e Financave, Hekuran Murati. Megjithatë, janë pikërisht deputetët që për pak muaj kanë përfituar goxha para për shpenzime jashtë vendit e dreka zyrtare.

Në të dhënat që i ka siguruar gazeta Nacionale nga Kuvendi i Kosovës, vërehet se deputetët kanë përfituar shuma të majme.

Vetëm për shpenzime të udhëtimeve jashtë vendit në pesë muajt e fundit, deputetët e Kuvendit të Kosovës, nga të gjitha partitë, kanë përfituar saktësisht 34 mijë e 770 euro.

Për dreka zyrtare të komisioneve janë shpenzuar 23 mijë e 330 euro, gjithashtu për pesë muajt e fundit, pra nga 1 prilli deri më 31 gusht.

Në kuadër të shpenzimeve për dreka zyrtare janë përfshirë edhe shpenzimet e bufesë që gjendet në Kuvendin e Kosovës. Për muajin mars, shpenzimet e bufesë kanë qenë 2 mijë e 946 euro. Për muajin prill, ato kanë shkuar në 3 mijë e 213 euro, kurse në muajin maj 3 mijë e 894 euro.

Sa shpenzuan partitë?

Lëvizja Vetëvendosje, duke marrë parasysh se e ka grupin më të madh parlamentar, kryeson bindshëm edhe për shpenzime në udhëtime. Gjithsej, deputetët që janë pjesë e grupit parlamentar të LV-së, kanë shpenzuar 14 mijë e 88 euro.

Pas LV-së, më së shumti ka shpenzuar Lidhja Demorkatike e Kosovës. Deputetët e kësaj partie kanë shpenzuar për udhëtime 7 mijë e 696 euro në pesë muajt e fundit të këtij viti.

Deputetët e grupit parlamentar të PDK-së kanë shpenzuar për udhëtime 3 mijë e 293 euro, kurse deputetët nga komunitetet 4 mijë e 734 euro.

Vlera më e madhe e një mëditjeje që e kanë marrë deputetët shkon në 1 mijë e 89 euro. Kaq ka përfituar deputetja e Listës Guxo, Jeta Statovci, për 10 ditë qëndrimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në të njëjtin udhëtim ka marrë pjesë edhe deputeti Enis Kervan. Shumë të majme parash ka përfituar pas një udhëtimi edhe tash deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili. Ajo për një vizitë në ShBA ka përfituar 2 mijë e 178 euro.

Vendet ku deputetët e Kosovës kanë udhëtuar për vizita zyrtare janë në rajon, përfshirë Shqipërinë e Maqedoninë e Veriu, në vendet e Evropës, si Danimarka, Belgjika, Greqia e Franca, e deri te qëndrimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dreka zyrtare

Në anën tjetër, vlera e përgjithshme e drekave zyrtare për pesë muaj ka shkuar në 23 mijë e 330 euro. Këto shpenzime i përfshijnë bufenë dhe drekat e tjera zyrtare të organizuara nga komisionet parlamentare.

Dreka të ngjashme më së shumti kanë organizuar komisionet për Arsim, Bujqësi, Legjislacion, komisionet ad-hoc dhe ai për Punë të Jashtme.

Nëse llogariten vetëm shpenzimet për bufenë e Kuvendit në këtë periudhë kohore, vlera shkon në shkon në mbi 10 mijë euro.

Kohë më parë, Kanal10 i kishte publikuar shpenzimet të cilat i kanë pasur deputetët për udhëtime. Nga ky hulumtim kishte dalë se pavarësisht që kishte deputetë që jetojnë në Prishtinë, ata kishin përfituar mijëra euro për naftë.

Kjo kishte bërë që të kërkohet ndalimi i pagesave për shpenzimet e rrugës së deputetëve.

Lajme të ngjashme