Mesi “i brishtë” i Osmanit midis Kurtit dhe amerikanëve: sa mund t'i funksionojë? - NACIONALE

Mesi “i brishtë” i Osmanit midis Kurtit dhe amerikanëve: sa mund t'i funksionojë?

10 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

Një nga paradokset më të famshme në historinë e filozofisë perëndimore është ai i “Gomarit të Buridanit” për të shpjeguar “as/as”-ësinë e konceptit të vullnetit të lirë, që emrin e mban nga filozofi francez i shekullit të 14’të, Jean Buridan. Jepet një paramendim hipotetik kur një “gomar” është njëjtë i uritur dhe i etur, dhe vendoset mu në mes të një pirgu sanë dhe një kove me ujë. Meqenëse paradoksi e merr si të mirëqenë se “gomari” do shkonte gjithmonë nga ajo që e ka më afër, ai vdes në vend edhe nga uria edhe nga etja pasi që nuk mund të merr vendime racionale midis shuarjes së njërës apo ngopjes së tjetrës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kaherë është proklamuar (edhe reklamuar) si një nga lojtaret më pro-amerikane të gjeneratës dhe në linjë me frymën e presidentit historik Ibrahim Rugova në amerikanizmin “e shenjtë” të tij. Do të investohej masivisht në figurën e saj si “e parapëlqyera” e adminsitratës Biden, në veçanti që kishte qenë bashkëpunëtore me të birin e ndjerë të Joe Biden, Beau Biden, për çka edhe presidenti amerikan do ta kishte referencë.

Vjosa Osmani, megjithatë, është Presidente dhe është ku është politikisht për shkak të asocimit të saj me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe votat i ka marrë nën ombrellën dhe frymën e tij politike. Ky i fundit e bëri (me letra) Presidente të shtetit. Për të gjithë është e qartë – sikur dy plus dy që bëjnë katër – se pa Kurtin, Osmani vështirë se mund të mbijetojë në skenën politike kosovare; ku tashmë as Lidhja Demokratike e Kosovës është e pamendueshme se ndonjëherë do t’i bënte vendin e saj të dikurshëm.

Një skicim i pozicionit “në mes” i Vjosa Osmanit – me amerikanët dhe me Vetëvendosjen. Por, pse një vështrim të tillë, tash? Kjo për shkak të kohë kur amerikanët dhe vetë adminsitrata Biden, Kurtin e ka shënuar për partner të pabesueshëm për shkak të veprimit solo të tij në pjesën veriore të vendit në instalimin me forcë të tre kryetarëve të rinj shqiptarë në veri, përkundër thirrjeve amerikane për të mos e bërë një gjë të tillë.

Kurti i zuri në befasi amerikanët, e madje edhe tërë perëndimin, kur mëngjesin e së premtes do të niste një aparaturë të tërë forcash policore për të instaluar në godinat zyrtare komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

O Freunde, nicht diese Töne!”, do të ketë qenë duke menduar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kur ka parë komunikatën e lëshuar nga Sekretari amerikan i Departamentit të Shtetit se “do të ketë pasoja në marrëdhëniet ShBA-Kosovë” pas veprimeve të njëanshme të Qeverisë së Kosovës në veri. Aty ishte thirrur në emër të përvetshëm Albin Kurti për “masa të dhunshme” të cilat “duhet të ndalen menjëherë”.

Kosova, për herë të parë, do të sanksionohej nga ShBA, me përjashtim nga ushtrim i përbashkët Defender 2023 dhe do të merrte deklarativisht pohimin se ShBA nuk do të angazhohej më në integrimet evropiane dhe ndërkombëtare të Kosovës e as me shtet mosnjohëse. Kjo ishte një eksplozion i madh në vend, dhe implozion i madh në debat.

Kryeministri Kurti nuk u ishte përgjigjur thirrjeve amerikane, dhe për këtë Vjosa Osmani do ta thërriste vetiu ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier. “Me kërkesë të Presidentes Osmani...jemi të shqetësuar”, u tha Hovenier gazetarëve të hënën, duke lënë të kuptohet se ishte presidentja ajo që mund të mos ketë qenë duke u pajtuar me gjendjen çfarë ishte.

Megjithatë, Vjosa Osmani, është kujdesur tepër shumë që deklarativisht dhe publikisht të mos devijojë as edhe një centimentët nga qëndrimet e Albin Kurtit dhe të Vetëvendosjes.

Macron dhe Scholz e ftuan Osmanin dhe jo Kurtin për takim në Kishinau, dhe kjo u lexua gjerësisht si “izolimi i parë diplomatik” ndaj Kurtit, pas kursit të tij të pandryshueshëm për ngjarjet në veri. Por, njëjtë si Kurti, ajo e frazoi “nevojën për zgjedhje në veri” duke i qëndruar thirrjes së kancelarit federal gjerman dhe presidentit francez.

Ka qenë kërkesë e qartë e Gjermanisë dhe Francës që kurdo që organizohen zgjedhjet e reja të ketë participim, që të mos iu ndalohet serbëve që të participojnë. Brenda ligjeve tona, brenda kushtetutës tonë, ekziston mundësia që të ketë zgjedhje të reja”, ka deklaruar Osmani.

Mirëpo është me rëndësi që serbët në veri të marrin pjesë. Participimi në demokraci është parakusht esencial në demokraci. Ata duhet të marrin pjesë dhe t’i zgjedhin kryetarët që ata dëshirojnë. Natyrisht, të sigurohet që të drejtat e tyre zbatohen nëpërmjet përfaqësuesve që ata zgjedhin”.

Ambasadori amerikan, i cili njoftoi se Kurti s’i kishte përfillur as edhe një troh kërkesat e tyre, për Osmanin u shpreh ca më ndryshe. “Besoj se kjo është diçka që ajo e trajton me seriozitet”, tha Hovenier ditë më parë në një intervistë me gazetarë.

Mbetet të shihet performanca e Osmanit në lidhje me balancimin mes politikbërjes së ngurtë, krye më vete, pa mbështetjen e as një shteti të vetëm në botë nga Kurti, apo në linjën perëndimore të ShBA’së dhe BE’së, të cilat s’kërkojnë asgjë më tepër se tërheqja e njësive speciale nga afërsitë e tri komunave si dhe gjetja e disa ndërtesave alternative për tre kryetarët e rinj të zgjedhur me nga 100 vota për kokë.

Lajme të ngjashme