Mes triumfit se ‘e çelëm’ dhe skenareve ‘të shëmtuara’: Kush çka (s’)po thotë për Urën e Ibrit? - NACIONALE

Mes triumfit se ‘e çelëm’ dhe skenareve ‘të shëmtuara’: Kush çka (s’)po thotë për Urën e Ibrit?

2 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Me forcën dhe sigurinë më të madhe deklarative në këto katër vjet qeverisje Lëvizja Vetëvendosje e ka pohuar për fakt të kryer se Ura e Ibrit po hapet.

Çështje e mbyllur, vendim i marrë”, tha Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në dritën e mohimit të prerë të perëndimit i cili garanton sigurinë e vendit; kësisoji duke flakur tutje çfarëdo rezervimi të këtyre të fundit.

NATO-ja, në anën tjetër, që udhëheq misionin paqembajtës në vend, veçse e mbushi mish edhe më tej skeleturën e qëndrimeve të tyre tash duke folur për “prani fikse” në Urën e Ibrit; i.e, prani të stacionuar.

Asnjë indikacion çstacionimi deri më tash s’ka ardhur nga KFOR-i; për më tepër, pyetur edhe konkretisht nga REL se çka nëse kërkohet nga ta të lëshojnë rrugë, janë shprehur se “nuk duam të spekulojmë për ndonjë skenar në të ardhmen”.

Kësisoji duke e zhvendosur largimin e tyre hipotetik “në të ardhmen”, siç kuptohet semantikisht, KFOR s’la të kuptojë çstacionim e tyre në të tashmen siç e jep qeveria kosovare për hapjen e Urës së Ibrit për automjete.

Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje thuajse profetikisht e kanë dhënë hapjen e saj dita-ditës; teksa kanë mprehur diskursin e tyre kundër opozitës se s’po e mbështesin hapjen e urës; që, sërish, sipas tyre, po bëhet.

Me sigurinë deklarative kaq të madhe, jo pak kush e ka parë situatën edhe në potencial të një acarimi deri në përballje mes autoriteteve kosovare dhe KFOR-it.

Imazhe prej më të rëndave kanë skicuar edhe nga opozita, të cilët duke e përkrahur në plotni hapjen e Urës së Ibrit si proces bashkërendimi dhe bashkëpajtimi me aleatët të sigurisë; kanë paralajmëruar edhe një friksione të frikshme.

Nëse i keni bindur aleatët, hapeni!”, shkroi Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhijku, duke vazhduar të shtjellojë edhe të kundërtën e kësaj medaljeje.

Në të kundërtën, hapja e urës pa ta, nënkupton konfrontim me ta. Imazh më të shëmtuar se një ushtar amerikan përballë një polici kosovar nuk ka. Automjeti ushtarak me flamur amerikan, përballë një veture të Policisë së Kosovës, është dhuratë për armiqtë tanë! Këto pamje populli i Kosovës as nuk do t'i pranojë e as nuk do t'i tolerojë”, tha ai.

Në një postim esëllues ndaj disponimit të hapjes së urës me çdo kusht dhe pavarësisht gjithçkaje, profesori universitar Milazim Krasniqi, provoi t’i thërrasë mendjes së shëndosh duke rikujtuar edhe vetë arkitekturën e sigurisë që bart KFOR-i të mishëruar edhe në Kushtetutën e Kosovës, përkatësisht Neni 153.

Krasniqi shkroi se “me faktin që deputetë të shumicës parlamentare në Kuvendin e Kosovës dhe anëtarë të qeverisë sillen sikur nuk ekziston ky Nen në Kushtetutë, ne si shoqëri jemi thjesht të rrezikuar”.

Njëri nga pundit-ët më të mëdhenj në vend për çështje të sigurisë, ish-Kryeinspektori i Agjencionit Kosovar për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, doli me një shkrim ekuivalent-shkollimi për deputetët e mazhorancës të dehur në argumentime absolut-sovraniste.

E nisi me atë që do të duhej të ishte vetëevidente se “sa më shumë KFOR dhe EULEX, aq më pak sovranitet” dhe e përfundoi me atë që, gjërat kështu siç janë, s’është për t’u përjashtuar që Ura e Ibrit t’i shtohet listës së PDSS-it (Prona/Persona me Përcaktim të Statusit Special) brenda mandatit të KFOR-it.

Në vend se të arrinim së bashku me NATO që ta bëjmë Kosovën shtet ku KFOR nuk ka ‘PDSS’ (Property/Persons with Designation of Special Status), po duket që KFOR-i mund të shtojë në listën e PDSS edhe hapësira apo objekte tjera. P.S • PDSS do të thotë Prona/Persona me Përcaktim të Statusit Special”, ka shkruar Ramadani.

Në këto raste, Rregullat e Angazhimit (Rules of Engagement) ushtarak janë të prera, të qarta, nuk kompromentohen dhe përfshijnë hapjen e zjarrit, përkatësisht përdorimin e të gjitha mjeteve ushtarake për të mbrojtur PDSS-in. Kështu, sa për ilustrim është Manastiri i Deçanit”, ka shkruar mes tjerash ai.

QUINT-i dhe KFOR-i kanë qenë të paeuivokë në atë se, tash për tash, nuk mbështesin ndërrim të statusit të Urës së Ibrit; me Bashkimi Evropian madje duke i fryrë trumbetit të paralajmërimit për zmadhim të sanksioneve ndaj Kosovës.

Amabasadori italian në Kosovë, Antonello De Riu, ishte lëshuar madje edhe në vlerësime politike të brendshme, duke e parë këtë lëvizje të qeverisë për hapjen e Urës së Ibrit për automjete si “qëllim politik, simbolik dhe zgjedhor”.

Lajme të ngjashme