“Erdha i fundit, babë”: Java e ish-Presidentit, Hashim Thaçi - NACIONALE

“Erdha i fundit, babë”: Java e ish-Presidentit, Hashim Thaçi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Vetëm pak ditë pasi kishte kryer një vizitë mjekësore në spital javën e kluar, ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mori lajmin e rëndë: babai i tij, Haxhi Thaçi, u nda nga jeta më 16 mars në Qendrën Klinike Universitare pas përballjes me një sëmundje të rëndë ku po trajtohej në klinikën interne. Në paraburgimin e Hagës, ky moment mund të ketë qenë një nga më të vështirat për Thaçin, i cili nuk mundi të ishte pranë familjes në momentet më të vështira.

Por situata mori drejtim edhe më të rëndë me heshtjen e Gjykatës Speciale pas kërkesës së menjëhershme për ta liruar ish-presidentin që të merrte pjesë në varrimin e babait të tij. Kjo ngjalli reagime të ashpra, jo vetëm në Kosovë.

Refuzimi i lejes për pjesëmarrjen në varrim u cilësua si një padrejtësi e rëndë dhe një tjetër goditje për ish-presidentin. Mes kritikëve të ashpër ndaj Speciales ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili nuk i kurseu kritikat e ashpra.

"Një poshtërim i ri nga një tribunal i turpshëm dhe i paturp, i cili e ka kthyer drejtësinë ndërkombëtare në një farsë, të drejtat demokratike në fjalë boshe dhe vullnetin e mirë të Parlamentit të Kosovës në bumerangun më brutal!"
– shkroi Rama në rrjetin social X.

Postimi i Ramës u shpërnda edhe nga Emisari i Posaçëm për Misione të Posaçme i ShBA-së, Richard Grenell, i cili është një ndër kritikët më të mëdhenj të këtij tribunali.

Çështja mori vëmendjet edhe në mediat ndërkombëtare. Agjencia e lajmeve “Associated Press” dhe gazeta prestigjioze “The Washington Post” raportuan për këtë ngjarje, duke shkrua se Thaçi nuk u lejua të ishte i pranishëm në ceremoninë mortore të babait të tij.

Vetëm disa ditë pas ndarjes nga jeta të të atit, Specialja më në fund "gjeti kohë" për ta vlerësuar kërkesën dhe vendosi të lejojë Thaçin të vizitonte varrin e babait në fshatin Burojë. Momenti ishte prekës dhe plot emocion. “Erdha i fundit, babë” – ishte mesazhi i tij në kurorën që vendosi mbi varr.

Më pas, ish-presidenti u dërgua në shtëpinë e tij, ku pati mundësinë të takonte vetëm familjarët e afërt. Po ashtu, Thaçit iu mundësua edhe një takim me tre vëllezërit e tij në zyrat e EULEX-it në Fushë-Kosovë.

Vëllai i tij, Gani Thaçi, tha për mediat se ish-presidenti është në gjendje të mirë shëndetësore:
"Shumë mirë është me shëndet".
Pas një vizite dyditore, Hashim Thaçi u nis dje për në Hagë.

Lajme të ngjashme