Memorandum, kërkesë, mesazhe: Përpjekjet dëshpëruese të Qeverisë Kurti për të ndërhyrë në zgjedhjet e 9 shkurtit
Në vitin që e lamë pas, Qeveria Kurti i ka bërë disa përpjekje për të ndërhyrë në organizimin e zgjedhjeve jashtë vendit.
Përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe e Diasporës në mënyra të ndryshme është tentuar t`i merren kompetencat KQZ-së për organizimin e zgjedhjeve në ambasada dhe konsullata të Kosovës.
Përpjekjet e dikasterit të MPJD-së janë dënuar nga shoqëria civile dhe opozita duke u konsideruar të kundërligjshme. Të gjitha këto përpjekje janë refuzuar nga KQZ-ja.
Përmes një Memorandumi të Bashkëpunimit, MPJD-ja ia kishte kërkuar kompetencat KQZ-së për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve jashtë Kosovës.
Në hyrje te Memorandumit të Bashkëpunimit, MPJD-ja i tregonte qëllimet që dëshiron t`i arrijë.
Në nenin 1, ministria e Gërvallës kërkon që të këtë bashkëpunim me KQZ-në për administrimin dhe organizimin e zgjedhjeve në diasporë.
“Ky memorandum i bashkëpunimit synon: të sigurojë një strukturë të qartë bashkëpunimi ndërmjet palëve në organizimin dhe administrimin e të gjitha formave të votimit të shtetasve të Republikës së Kosovës që jetojnë jashtë vendit në Zgjedhjet e Përgjithshme të vitit 2025 në përfaqësitë diplomatike dhe postet konsullore të Republikës së Kosovës” - thuhet në pikën e parë.
Pasi KQZ-ja ka refuzuar memorandumin në fjalë, MPJD-ja ka bërë edhe një përpjekje të radhës.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka kërkuar nga ambasadorët dhe drejtuesit e posteve konsullore që të kërkojnë hapësira të reja për votim në vendet ku janë akredituar.
Kërkesa në fjalë, e cila është publikuar nga Nacionale, udhëzon në detaje shefat e misioneve se si duhet të veprojnë në sigurimin e këtyre hapësirave.
“Me qëllim të përmbushjes së obligimit ligjor të MPJD-së, lidhur me organizimin e Zgjedhjeve të Përgjithshme 2025, kërkojmë nga ju që me prioritet të kërkoni nga autoriteti komunal\rrethi konsull\operator, informacion mbi mundësitë e ofrimit të hapësirave publike ose publiko/private, me apo pa pagesë, me qëllim të realizimit të procesit zgjedhor përmes votimit fizik, nën kontraktimin dhe shfrytëzimin e përfaqësive diplomatike apo posteve konsullore”, thuhet në kërkesën e MPJD-së për misionet diplomatike, të cilën e ka siguruar Nacionale.
Aty specifikohet, se shefat e misioneve diplomatike mund të marrin në shfrytëzim qendra sportive, salla dhe objekte tjera për ditën e votimit.
“Nga autoritet\operatori duhet kërkuar ofrimi i objekteve si: qendra sportive, kulturore, salla, galeri, apo tjetër, të cilat janë të përshtatshme të shfrytëzohen për organizimin e votimit fizik, gjatë ditës së zgjedhjeve, më datë 7 dhe 8 shkurt 2024. Objekti duhet të ketë hapësirë ose dhoma shfrytëzimi”, thuhet në kërkesë.
Në fund të kërkesës, kërkohet që misionet diplomatike të gjitha informacionet lidhur më marrjen e këtyre objekteve të dërgohen në MPJD deri me datën 29 tetor.
Kur i dështuan të gjitha këto përpjekje, në ditën e fundit, partia në pushtet kërkoi të shtyhet afati për regjistrimin e diasporës për zgjedhjet e 9 shkurti.
Madje, në orët e fundit të këtij afati, edhe MPJD-ja u angazhuar për të dërguar mesazhe telefonik për gjithë qytetarët duke kërkuar që të regjistroheshin për të votuar.
Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, kishte thënë se këto mesazhe po dërgohen me buxhet të shtetit.
“Kur vjen puna te vota sa e kujdesshme eshte Donika Gervalla. Permes buxhetit te shtetit te dergon mesazh ne emer te MPJ dhe kerkon mu siguru qe eshte familjareve me iu tregu se duhet mu regjistru me votu.E kane jete a vdekje me mbet ne pushtet. Rregullone more rrymen, merrnu me pune per çka paguheni, se KQZ eshte ajo qe me ligj e ka detyrim edukimin e votuesve, e Jo ju. E sosen buxhetin duke e shpenzu per perfitime partiake”, kishte shkruar Miftaraj në profilin e tij në “Facebook”.