Memli Krasniqi: Kosova humbi njohjen dhe fitoi Asociacionin
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është deklaruar pas përfundimit të takimit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës Aleksandar Vuçiq.
Sipas Krasniqit, ka ndodhur ajo që PDK-ja ka paralajmëruar, duke besuar se Kosova nuk është palë fituese në këto negociata.
“Ajo që kishim paralajmëruar edhe ndodhi. Kushtet dhe qëndrimet u shkrinë para interesave personale dhe ambicieve për pushtet të Kryeministrit Kurti. Kosova humbi njohjen dhe fitoi asociacionin”, - ka shkruar Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook.
Lideri opozitar ka thënë se propozimi evropian nuk parasheh njohjen e ndërsjelltë si kriter për normalizimin e marrëdhënieve mes palëve.
“Aty nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE”, - ka thënë Krasniqi.
Kryetari i PDK-së ka shtuar tutje se kryeministri Kurti ka injoruar këshillat e opozitës.
“Duke e injoruar çdo ndihmë e këshillë që ka ardhur nga ne, kokë në vete dhe në kundërshtim me interesat afatgjate të Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti, përmes veprimeve dhe politikave të gabuara, degradoi pakthyeshëm procesin e dialogut. Rrjedhimisht, ai mundësoi heqjen e marrëveshjes finale me njohjen e ndërsjellë në qendër dhe i solli vendit një marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër”, - mendon Krasniqi, duke shtuar se Kurti “ka tkurrur sovranitetin e shtetit tonë”.
“Prandaj, 27 shkurti i vitit 2023, për Kosovën, me Kryeministër Albin Kurtin, shënon një mundësi të humbur për shtetin tonë që ta përmbyllë përgjithmonë konfliktin e ngrirë me Serbinë”, - përfundon ai.
