Mefail Bajqinovci e tregon sekretin që po e mbante LVV-ja për dy vjet: 'Martin Berishaj punon për serbët'
E mbajtën për rreth dy vjet, por 'sekretit' të mbajtur nga Lëvizja Vetëvendosje se për kë punon Martin Berishaj, ambasadori i Kosovës në Kroaci, i dyshuar për përfshirje në një skemë masive të pastrimit të parave, i dha fund një deputet i kësaj partie.
“Pastaj e kena GEN-in e Beogradit” – kjo fjali i "shpëtoi" deputetit Mefail Bajqinovci ndërsa po hidhte akuza në drejtim të Partisë Demokratike të Kosovës.
“Pastaj e këna GEN-in e Beogradit, që pas ardhjes së PDK-së në pushtet, KEK-u nisi bashkëpunimin me të, një kompani serbe ku fitoi 82 milionë euro nga buxheti i Kosovës”, deklaroi Bajqinovci gjatë seancës së Kuvendit, duke demantuar plotësisht partinë e tij.
Në pyetjen e deputetit Driton Selmanaj para dy viteve për lidhjet me GEN-in në Beograd, Berishaj mohonte kategorikisht se GEN-i ishte kompani serbe, gjatë raportimit para Komisionit – deklaratë që iu demantua nga deputeti Bajqinovci.
“E njoh kompaninë GEN. Është një kompani që është në 25 vende të botës. Është plotësisht në pronën sllovene. Kam punuar aty si këshilltar. I kam dhënë këshilla se si duhet të funksionojë një firmë e madhe. GNE-ja është e regjistruar në ZRRE që nga viti 2009 dhe bën shit-blerje të energjisë. Nga viti 2020, nuk kam asnjë marrëdhënie kontraktuale me ta”, deklaronte Berishaj para dy viteve.
Berishaj dyshohet se kishte bartur para kesh nga Mali i Zi për në Slloveni, që ishin derdhur në xhirollogarinë e tij nga një kompani famëkeqe energjetike serbe, GEN, e që pastaj, Berishaj, i kishte tërhequr ato mjete dhe i kishte dërguar te politikani slloven, Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.
Mediat në Slloveni raportuan gjerësisht përgjatë dy viteve të fundit se ambasadori Berishaj i kishte marrë mbi 600 mijë euro. Prapa aktivitetit të kësaj kompanie në Serbi, raportohej se fshihet një rrjet mafioz energjetik, ku përfshihen emra të njohur si Vuk Hamoviq dhe Damir Fazliq. Sipas raportimeve, ky grup mafioz ka pasur lidhje të ngushta me sektorin e energjisë dhe monopolizimin e furnizimit me energji elektrike në Ballkan.
Rreth strukturës mafioze të GEN-it, ishte mirë i informuar edhe vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Gjatë një interviste në emisionin Pressing në T7, më 25 prill 2019, Kurti madje thoshte se kompania GEN-ex ishte themeluar nga vetë Slobodan Millosheviqi.
“Në katër luftërat ku ka marrë pjesë Serbia e ka pasur njeriun kryesor Jovica Stanishiqin, aty është problemi. Një njeri super i fuqishëm dhe njeri i afërt me Millosheviqin, kasapin e Ballkanit. Dhe i cili e ka formuar një parti, tri formacione paramilitare, dhe një ndërmarrje ekonomike. Formacionet paramilitare janë tigrat e Arkanit, beretat e kuqe dhe skorpionët, në të gjitha lufëtrat kanë kryer krime, sepse ka qenë në interes të shërbimit sekret që të mos fajësohet ushtria”, tregonte fillimisht Kurti.
“Partia Radikale Serbe me kryetar dikur Sheshelin e sot Vuçiqin është formuar prej Stanishiqit, që Millosheviqi të jetë më i relaksuar në takimet me Hoolbroken. Ka qenë një kompani, ndërmarrje që e kanë quajtur GEN-ex. Atë e ka ndërtuar UDB-ja, sepse pasi e kanë parë që po kalojnë prej socializmit vetqeverisës në ekonomi të tregut të lirë, kanë thënë edhe këtu duhet të depërtojmë të parët edhe e kanë themeluar GEN-exin. Shumë prej strukturave kriminale sot janë ekonomike. Psh mafia energjetike në Ballkan. Edhe në atë kompaninë GEN-ex që prej këtyre miqve të mi që janë veteranë të luftës nga ana e boshnjakëve, prej atyre kam kuptuar këto gjëra”, tregonte Kurti.