Mediumi serb: Kurti ka kontaktuar ambasadorët e QUINT-it, ka vendosur të fillojë një luftë - NACIONALE

Mediumi serb: Kurti ka kontaktuar ambasadorët e QUINT-it, ka vendosur të fillojë një luftë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Mediumi serb “Novosti” pasditen e së dielës, ka raportuar se “Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vendosur të fillojë një luftë”.

Ky medium po pretendon se shefi i Qeverisë së Kosovës, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, ka kontaktuar me ambasadorët e shteteve të QUINT-it.

Të njëjtit, tutje pretendohet, se Kurti i ka informuar se do ta dërgojë Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës në veri, për t’i larguar të gjitha barrikadat.

Sipas këtij raportimi, kryeministri i Kosovës ka informuar përfaqësuesit e QUINT-it se ka urdhëruar policinë që të qëndrojë në gatishmëri për “aksionin e mbrëmjes së sotme”.

Në lidhje me këto raportime, gazeta Nacionale ka kontaktuar zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, z.Përparim Kryeziu, por i njëjti nuk është përgjigjur.

Ndërkohë, Kurti pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, ka thënë se Serbia po kërcënon sërish me luftë dhe rikthim të trupave ushtarake.

Në një konferencë para gazetarëve, Kurti ka folur në lidhje me situatën e krijuar në veri të vendit, që po vazhdon të jetë e tensionuar, pavarësisht shtyrjes së zgjedhjeve për kryetarët e katër komunave veriore.

“Pas 23 viteve nga përfundimi i luftës në Kosovë, Serbia kërcënon sërish me luftë dhe rikthim të trupave të saj ushtarake, të cilët patën kryer gjenocid në Kosovë. Beogradi po flet dhe sillet si para 23 viteve, dhe udhëhiqet nga një kastë e njëjtë politikanësh, ish-ministri dh eish-zëdhënësi i partisë së Millosheviqit. Serbia nuk po e fsheh se kërkon rikthim në Kosovë, pra kërkon të vazhdojë luftën që e humbi dhe kapitullimin e pranoi asokohe në Kumanovë, më 9 qërshor 1999.” – tha ai.

Lajme të ngjashme