Mediumi i njohur britanik shkon në veri: Pse videoja po merr kaq shumë reagime të ashpra? - NACIONALE

Mediumi i njohur britanik shkon në veri: Pse videoja po merr kaq shumë reagime të ashpra?

2 javë më parë

nga NACIONALE

Mediumi i njohur britanik “The Telegraph” gjatë kësaj jave publikoi një video dhe një artikull nga veriu i Kosovës. Kryesisht, trajtohej situata e tensionuar gjatë muajve të fundit atje, derisa publikoheshin edhe pjesë nga një intervistë me kryeministrin Albin Kurti. Titulli ishte: “A mund të jetë Kosova Ukraina e ardhshme”. Megjithatë, mënyra se si u trajtua kjo çështje, do të merrte shumë reagime. Pse ndodhi kjo?

Gazetarja Danielle Sheridan ka realizuar një “mini dokumentar”, siç tha ajo nga Kosova. Në një shkrim në "X", para tri ditësh ajo u bëri thirrje ndjekësve që ta përcjellin atë.

“Shikoni dhe lexoni mini dokumentarin tonë nga Kosova. Eksploron tensionet mes serbëve dhe shqiptarëve në veriun e Kosovës dhe nëse dhuna mund të shpërthejë edhe një herë në Ballkanin Perëndimor.” – ka shkruar ajo.

Mediumi i njohur ndërkaq, në llogarinë zyrtare ku ka shpërndarë videon, ka marrë tashmë mbi gjysmë milionë shikime, 358 komente dhe 331 shpërndarje.

Pse kaq shumë reagime?

Në opinionet e shprehura në rrjetin social “X”, shumë persona kanë komentuar mënyrën e paraqitjes së gazetares. Ajo u shfaq me jelek antiplumb.

Ish-kryediplomati kosovar, Petrit Selimi përkujtoi se ndonëse Kosova është nën kërcënim nga Serbia, statistikat tregojnë se është më e sigurtë se Londra.

“Një enigmë e vërtetë: ne kemi nevojë që mediat dhe politikanët perëndimor t'i kushtojnë vëmendje, por gjithashtu duhet që normaliteti të mbizotërojë.” – tha ai.

Gazetari Aleksandër Brezar, ka pasur një mesazh për gazetarët:

“...duhet vërtetë të ndaloni së shkuari në vende paqësore me një veshje për zona lufte”.

Edhe faqja e njohur në “X”, “Kos-data” ka pasur një reagim ndaj kësaj, duke rikujtuar se lufta ka përfunduar para 25 viteve.

“Gazetarja britanike viziton Kosovën duke veshur një jelek anti-plumb dhe rroba kamuflazhi...25 vjet pas përfundimit të luftës”.

Këto janë vetëm disa nga dhjetëra reagime në lidhje me këtë raportim.

Ndërkohë, Nacionale rikujton më poshtë se çka thuhet në artikull:

Qysh në fillim, mediumi i njohur nis artikullin duke shpjeguar se si policia kosovare, para se të fillojë patrullimin, ngarkon veturën me armatim:

“…AK-47 janë të lidhur në pjesën e pasme të sediljeve të veturës, pistoletat janë hedhur te pjesa e këmbës, dhe dronët e jelekët antiplumb janë të mbushuar në “çizmen” e Land Roverit”.

Siç raportohet tutje, ky tani është protokoll standard, në atë që mediumi e quan “një nga kufijtë më të paqëndrueshëm në kontinentin evropian”.

“The Telegraph” përmend edhe intervistën e kryeministrit Albin Kurti për këtë medium, i cili kishte paralajmëruar se Vuçiq, presidenti serb, kishte planifikuar një pushtim.

Ai kishte thënë se Serbia ka ndëtuar baza operacionale përgjatë kufirit për të “mbrojtur Beogradin dhe për ta sulmuar Kosovën”.

Duke u bazuar në fjalët e vetë Vuçiqit, kryeministri Kurti, sipas mediumit, beson që presidenti serb po kërkon kohën e tij për një mundësi të pushtimit.

Shoqëria e Vuçiq me Vladimit Putin, dihet mirë. Mediumi përmend se ka fjalë që Putin ka rekrutuar serbë për të shërbyer me ushtrinë e tij kundër Ukrainës.

Veç kësaj, Kurti kishte thënë: “Kjo është një pishinë ku ata (Rusia) do të rekrutojnë paraushtarakë që duan të jenë si Ëagner për Ukrainën dhe Ballkanin”.

Lajme të ngjashme