Media serbe shkruan për jetën dhe pasurinë e madhe të kriminelit Arkan - NACIONALE

Media serbe shkruan për jetën dhe pasurinë e madhe të kriminelit Arkan

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Krimineli serb Arkani, kryetar i forcës paraushtarake serbe të quajtur Garda Vullnetare Serbe gjatë Luftërave Jugosllave, i paditur nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë për krime kundër njerëzimit e deri në vrasjen e tij në janar 2000, ishte figura më e fuqishme e krimit të organizuar në Ballkan.

Edhe në Serbi, për vite me radhë, Zheljko Razhnatoviq është konsideruar si figura më e fuqishme dhe falë lidhjeve të tij me shërbimin sekret dhe regjimin e Sllobodan Millosheviqit, atij i ishte mundësuar të merrej me çështje juridike, të ishte kryetar i një partie dhe pronar i një klubi futbolli.

Por tani, kur kanë kaluar më shumë se 20 vjet nga vdekja e tij, shumë njerëz ende e kanë në kokë pyetjen se çfarë ka ndodhur me pasurinë e madhe të tij.

Media serbe Nova.rs shkruan se historitë për pasurinë e tij i kanë mbijetuar kohës dhe vazhdojnë të rrefen edhe sot, teksa sjellë detaje nga ajo se çfarë ka lënë pas Arkani dhe si është e vërteta.

Razhnatoviq e ka “pjekur” karrierën jashtë vendit, me armë në dorë ka filluar të grabisë banka, për çka është arrestuar dhe dënuar disa herë. Por edhe atëherë Razhnatoviq, i cili ishte fëmijë i një ushtaraku, është shpëtuar nga shërbimi sekret me të cilin kishte kontakte të mira, si dhe shumë kriminelë nga ish-Jugosllavia, të cilët drejtpërdrejt ose tërthorazi punonin për policinë sekrete.

Krahas përvojës dhe parave, Razhnatoviq ka fituar nofkën Arkan në Perëndim, megjithatë ngritja e tij marramendëse kishte nisur me ardhjen në pushtet të Sllobodan Millosheviq në kohën e shpërbërjes dhe luftës në ish-Jugosllavi.

Me shpërthimin e luftës, Nova.rs shkruan se Razhnatoviq kishte marrë një detyrë të re duke themeluar Gardën Vullnetare Serbe (SDG) - një formacion paraushtarak që luftoi në Kroaci, dhe më vonë në Bosnje dhe Hercegovinë me mbështetjen e autoriteteve serbe. Sidoqoftë, sipas disa historive, për çdo veprim ai kishte marrë një shumë të caktuar parash, të cilat i ka shpenzuar për pajisjen e formacionit të tij paraushtarak si dhe duke paguar një lloj kompensimi për familjet e ushtarëve të rënë të SDG-së dhe atyre me aftësi të kufizuara.

Më tej, shkruhet se Arkani kishte "carte blanche" në Beograd dhe ishte i përfshirë në shumë biznese, legale dhe ilegale. E pas përfundimit të luftërave në Kroaci e Bosnje-Hercegovinë, ndikimi i Arkanit kishte mbetur sërish i madh, e këtë radhë ai kishte nisë të merrej me politikë, duke themeluar Partinë e Unitetit Serb. Por ndërsa në vitin 2000 me vdekjen e tij kishte marrë fund gjithçka, njerëz që kanë punuar me të vazhdojnë të thonë se ai ka lënë pas një koleksion mbresëlënës pikturash, më shumë se 80 kryevepra nga artistë të njohur. Pastaj thuhet se Arkani ka qenë gjithashtu një koleksionist i madh i orëve të shtrenjta dhe i ka dashur veçanërisht gurët e çmuar.

Media serbe shkruan se Arkan ka pasur rreth 20 orë të shtrenjta në koleksion, dhe ajo që i ishte gjetur në dorë kur ishte vrarë kishte një çmim prej 150 mijë markash gjermane të asaj kohe, një model me diamante.

Madje thuhet se Arkani kishte aq shumë vepra arti, bizhuteri, orë dhe gurë të çmuar, saqë, pas fillimit të sulmeve të NATO-s në Jugosllavinë e atëhershme, koleksioni i pikturave duhej të vendosej në disa vende të ndryshme.

Më tej, media serbe shkruan se në kohën e vdekjes së tij, Arkani ishte drejtpërdrejt ose indirekt pronar i disa kompanive ligjore, disa prej të cilave merreshin me sigurinë. Bëhet fjalë për “Byzantine Trade” Beograd, “Ari” Beograd, “SDG” DOO Beograd, Fondi “Treće dete” nga Beogradi, si dhe Kooperativa “Delije” në Beograd. Ai ishte pronar i një vile në Ljutice Bogdana, pronar i pastiçerisë “Ari” përballë stadiumit “Crvene zvezda”, nga e cila drejtonte biznesin e tij.

Bëhet e ditur se në të ardhurat e Razhnatoviqit një vend të rëndësishëm ka pasur edhe futbolli. Ai ishte bërë pronar i klubit të futbollit “Obiliq”, i cili në një moment ishte edhe kampion kombëtar, duke e lejuar Arkanin të hynte në një biznes tjetër fitimprurës, por shumë të rrezikshëm, rishitjen e futbollistëve, që në atë kohë raportohet se i ka sjellë miliona marka gjermane.

Sipas dëshmitarëve të njohur me biznesin e Arkanit, ai ka punuar shumë me para të gatshme dhe në kasafortën e KF “Obiliq” gjithmonë ka pasur miliona marka gjermane në para. Sipas burimeve të sigurta, Nova.rs shkruan se në atë kasafortë ai ka pasur në çdo kohë më shumë se 10 milionë marka gjermane.

Kasaforta e dytë, e cila kishte ora dhe bizhuteri, ndodhej në vilën e Bogdanës në Ljuticë, ndërsa dihet se ai kishte edhe një kasafortë të tretë, të cilën Razhnatoviqi e kishte marrë me qira nga “Banka Tregtare” e atëhershme. Këto kasaforta janë hapur me komision në vitin 2014, por nuk ishte gjetur asgjë me vlerë, veçse dyshohet se aty ka pasur dokumente që Arkan i ka konsideruar të rëndësishme pasi ishin të lidhura me punët e tij, si dhe Gardën Vullnetare Serbe, e cila, sipas informacioneve të pakonfirmuara, dëshmonte se Arkani në të vërtetë ka qenë një nënpunës civil gjatë gjithë kohës.

Lajme të ngjashme