'Me ty nuk mujmë më, e ke rezultatin e dobët': Në prag të votëbesimit të Abdixhikut, iniciatorët dhënë verzionet e tyre - NACIONALE

'Me ty nuk mujmë më, e ke rezultatin e dobët': Në prag të votëbesimit të Abdixhikut, iniciatorët dhënë verzionet e tyre

1 orë më parë

nga NACIONALE

Lumir Abdixhiku pas tri ditësh del në votëbesimin e 355 delegatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Kuvendin Zgjedhor të partisë së vet.

Ky kuvend do të përcaktojë nëse Abdixhiku do të vazhdojë të udhëheqë LDK-në apo nëse partia do të hapë garën për lidership të ri.

Abdixhiku e ka dhënë iniciativën për thirrjen e Kuvendit si “të panevojshme”, por ka thënë se demokracia e obligon atë ta respektojë.

Sipas tij, Kuvendi Zgjedhoor, megjithatë, mund të jetë një mundësi për t’i dhënë partisë qartësi për të ardhmen.

“Ndonëse ky nuk është Kuvendi që kam kërkuar, ai mund të bëhet Kuvendi që i jep LDK-së atë që i ka munguar më së shumti, qartësinë”, ka shkruar Abdixhiku.

Kundërshtitë ndaj tij kanë ardhur nga figura të ndryshme brenda partisë, të cilat e kanë nisur kërkesën për Kuvend të jashtëzakonshëm për pasojë të rezultateve të dobëta zgjedhore.

Gazmend Muhaxheri ka thënë se pas Kuvendit Zgjedhor të 31 janarit i kishte kërkuar Abdixhikut të merrte përgjegjësi për rezultatet.

“Me ty më s’mujmë, se e ke rezultatin e dobët”, ka deklaruar Muhaxheri në Pressing të T7.

Sipas tij, 46 për qind e delegatëve nuk e kishin votuar Abdixhikun në procesin e mëparshëm zgjedhor brenda partisë.

Muhaxheri ka thënë se kjo tregon mungesë të mbështetjes së plotë dhe vë në pikëpyetje aftësinë e kryetarit për ta bashkuar LDK-në.

Ai ka përmendur edhe rezultatin në zgjedhjet parlamentare, duke thënë se një pjesë e konsiderueshme e elektoratit nuk e ka mbështetur Abdixhikun.

“Mbështetja për kryetarin e LDK-së ka shku duke rënë”, ka thënë ai.

Sipas Muhaxherit, partia duhet të hapë një proces të ri zgjedhor, ku kandidatët të garojnë për drejtimin e LDK-së.

“Nëse ke ra në vendin e tretë duhesh me u përgatit me lëshu rrugë”, ka deklaruar ai.

Edhe Avdullah Hoti ka kritikuar udhëheqjen aktuale të LDK-së, duke thënë se partia nuk mund të pajtohet me humbjet e vazhdueshme.

“Nuk mund të ulim kokën dhe të ndihemi rehat me këto rezultate të dobëta”, ka shkruar Hoti.

Ai ka thënë se një parti që nuk kërkon llogaridhënie pas humbjeve nuk i shërben interesit të saj politik.

Hoti ka argumentuar se iniciativa për Kuvend është në përputhje me mekanizmat demokratikë të partisë.

Sipas tij, lidershipi aktual nuk ka respektuar standardin e vendosur në vitin 2021, kur Isa Mustafa mori përgjegjësi pas humbjes zgjedhore dhe hapi rrugën për zgjedhjen e Abdixhikut.

Në të njëjtën linjë, Hykmete Bajrami ka deklaruar se Kuvendi do të tregojë nëse delegatët dhe elektorati janë të kënaqur me drejtimin e LDK-së gjatë pesë viteve të fundit.

Ajo ka theksuar se partia ka përfunduar e treta në tri palë zgjedhje parlamentare dhe nuk ka arritur fitore të rëndësishme as në nivel lokal.

“Nëse përgjigjja është ‘jo’, atëherë duhet të kemi guxim për ndryshim”, ka shkruar Bajrami.

Sipas saj, rezultatet e dobëta të përsëritura nuk mund të shpjegohen vetëm me rrethana politike.

“Kur rezultatet mungojnë një herë, mund të flitet për rrethana. Kur mungojnë vazhdimisht, përgjegjësia nuk mund t’u mvishet më rrethanave”, ka deklaruar ajo.

Lajme të ngjashme