"Me qenë që dorëzohem, nuk ia kisha nis kësaj pune" - Prokurorit nuk i trembet syri nga deklarata e ministres Haxhiu
Përpjekjet për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë nuk i ndali as të premten ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Gjatë fjalës së saj në një seancë, ku bashkë me disa deputetë po akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës në shkurtin e vitit 2016 në Kuvend, ajo i bëri thirrje prokurorit të rastit, Ilaz Beqiri, që të dorëzohet e të tërhiqet nga aktakuza. Kjo deklaratë e Haxhiut ngjalli reagime të shumta. Por a e ka ndërmend prokurori Ilaz Beqiri që ta dëgjojë fjalën e ministres Haxhiu. Ai për Nacionalen dha një deklaratë interesante.
Nga aktakuza e as nga hetimet për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në shkurtin e vitit 2016 në Kuvend, nuk e ka ndërmend që të tërhiqet prokurori Ilaz Beqiri.
Kontaktuar nga Gazeta Nacionale, prokurori Beqiri ka folur për deklaratën që u cilësua skandaloze e ministres Haxhiu.
"As që e kam dëgjuar që më ka thënë “dorëzohu”. Gjithçka ka qenë normale. Kemi qenë në shqyrtim gjyqësor. Shumica prej tyre thonë që prokurori duhet të tërhiqet, se s’ka elemente të veprës penale. Unë s’kam vlerësuar që ka ndonjë tendencë aty as të ketë ndikim, as frikësim, as asgjë”- tha prokurori Beqiri.
Kur u pyet nëse e ka ndërmend që t’i bindet fjalët së ministres Haxhiu, prokurori e dha këtë përgjigje:
“Po çfarë t’dorëzuni? Unë, me qenë që dorëzohem, isha dorëzu moti, moti... Nuk ia kisha nisë kësaj pune hiç. Atë e di gjithkush: që politika duhet me qëndru larg drejtësisë”- tha Ilaz Beqiri.
Ndërkohë në seancën e djeshme , kryetarja e trupit gjykues, Fatime Demaku, njoftoi se do të caktohet ekspertizë balistike jashtë vendit për të vërtetuar se çfarë mjetesh kanë përdorur të akuzuarit në rastin ku për posedim të gazit lotsjellës në Kuvend, po akuzohen ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputeti Pal Lekaj dhe ish-deputetet, Donika Kadaj Bujupi e Besa Baftiu.
Për këtë punë, prokurori tha se nuk është i nevojshëm ekzaminimi.
"Nuk është e nevojshme as të bëhet ekzaminim, sepse me pas qenë i nevojshëm, unë e kisha ba para 10 viteve atë ekzaminim. Ai është një lloj gazi që mund të shkaktojë lëndim”- i tha ai Nacionales.
E pas shumë reagimeve për deklaratën e ministers Haxhiu, ka reaguar kjo e fundit.
“Prokuroria dhe gjyqësori do të çlirohen nga ata që i kanë kapur ndër vite, pikërisht këta që sot bëjnë zhurmë pa përmbajtje, e mbajnë konferenca pa asnjë kuptim. Të njëjtit përmes njerëzve në sistem, jo rrallë herë kanë montuar procese politike të gjykimit ndaj Lëvizjes dhe aktivistëve të saj,”- thuhet në reagimin e saj.
“Veprimet politike për të cilat jemi gjykuar kanë qenë përherë publike, sikurse deklarata ime në cilësinë e të pandehurës në linjë me të drejtat e mia që njihen me legjislacionin në fuqi”.
Deklarata e Haxhiut ngjalli reagime;
E deklaratat e ministres Haxhiu kanë shkaktuar reagime të ashpra nga politikanët e partive opozitare. Madje, kishte edhe prej atyre që kërkuan edhe dorëheqjen e zonjës Haxhiu.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar ku ka thënë se kështu i duan të dorëzuar, si mjekët, ashtu edhe policët e mediat, shoqërinë civile e opozitën.
“Dorëzohu, s’është vonë” i paska thënë prokurorit e pandehura Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë. Sepse, ashtu, të dorëzuar i duan të gjithë. Të dorëzuar i duan mjekët, mësuesit, policët, prokurorët, mediat, shoqërinë civile, opozitën. Kjo mendësi nuk kalon në Kosovë” - ka shkruar Çitaku.
Ndër të tjera edhe zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, përmes një postimi në Facebook, ka kritikuar partinë në pushtet për mendësinë që sipas saj përkon me atë të kohës së gazit lotsjellës në Kuvend.
Halimi, duke gjykuar rrugëtimin e Vetëvendosjes deri në ardhjen në pushtet, tha se nuk mund të pritet që qeverisja e kësaj partie të bëhet në një mënyrë përtej mendësisë që jemi mësuar ta shohim ndërvite.
“Mendësia e gazit lotsjellës vazhdon edhe në qeverisje, por tashti shndërrohet në kërcënim, si reflektim i qasjes së dhunshme. Gjuha, komunikimi përfaqëson e përcakton atë çfarë jemi dhe mendojmë. Prandaj, nuk pritet që të qeveriset përtej mënyrës se si Vetëvendosje erdhi në pushtet. Ministrja e Drejtësisë i drejtohet prokurorit me fjalët “dorëzohu, s’është vonë”!? Duke ndërhy paskrupullt në pushtetin e ndarë. Kjo është qasje e rrezikshme dhe shpërfaq mendësinë e gazit lotsjellës në qeverisje duke u përkthyer në arrogancë e mos respektim të shtetit. Kjo është dhunë simbolike e pushtetit autoritar.” – ka shkruar Halimi në Facebook.
Ndërsa kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së, Jehona Lushaku – Sadriu ka thënë se Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka kërcënuar prokurorin duke i thënë ‘dorëzohu’.
Sipas Lushakut – Sadriu nëse ky kërcënim do të ndodhte në një shtet demokratik, ende pa kaluar dita do të pasonte dorëheqja ose shkarkimi.
Po sipas saj, tek ne ende nuk po shkarkohet ambasadori milioner Martini, pse me dhanë dorëheqje ministrja Haxhiu?!
“Si, asnjëherë më parë, një ministre e paska kërcënuar prokurorin e shtetit duke i thënë 'dorëzohu'. Ministrja e drejtësisë Haxhiu. Po të ndodhte ky kërcënim në ndonjë shtet tjetër demokratik, ende pa kaluar dita do të pasonte dorëheqja ose shkarkimi. Por, kur nuk po shkarkohet ende ambasadori milioner Martini, pse me dhanë dorëheqje ministrja Haxhiu?! Kosova ka nevojë për prokurorë që NUK DORËZOHEN, posaqërisht kur kërcënohen nga ministra. Për të mirën e Kosovës!” – ka shkruar ajo në Facebook.
Nga ana tjetër, deputetja e LDK-së Doarsa Kica Xhelili ka thënë se nga sot Kurti ka përgjegjësin të jap llogari për çdo ditë shtesë që Haxhiu e kalon në Ministrin e Drejtësisë.
“NË EMËR TË POPULLIT DORËZOHU E gjithëpushtetshmja Albulena Haxhiu, prokurorit të rastit të saj, sot i tha “Dorëzohu.” Në formën më brutale e banale të mundshme u pa ajo që jemi munduar t’ua shpërfaqim: Këta nuk duan drejtësi, duan dorëzim! Kryeministri Kurti nga sot ka përgjegjësi absolute të jap llogari për ÇDO DITË shtesë që Albulena Haxhiu e kalon në Ministri të Drejtësisë. Shtetet demokratike këtë gjuhë nga ekzekutivi ndaj institucioneve të drejtësisë nuk e tolerojnë. Nuk i kemi duruar më parë e nuk do ti durojmë as tash!” – ka shkruar ajo.
Ani pse mori shumë reagime të ashpra, ministren Albulena Haxhiu dikush e mbrojti për deklaratën e saj drejtuar prokurorit.
Sadri Ramabaja, anëtarët i VV-së dhe analist, i doli në mbrojtjes ministres Haxhiu.
Sipas Ramabajes, ministrja Haxhiu sot në seancë nuk ishte si ministre dhe të drejtën e mbrojtjes e ka secili qytetar.
Në seancë sot A.Haxhiu nuk ishte si ministre. Këtë fakt mos e anashkalo. Të drejtën e mbrojtjes e ka secili qytetar.” – ka shkruar Ramabaja.