Me Osmanin dhe Hovenierin në të njëjtën ditë rreth draft-Statutit të autonomisë serbe: Çka (s’)po thotë Abdixhiku?
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që gjerë më tash i kishte “krejt vezët në një shportë”; përkatësisht te Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kohëve të fundit ka provuar të gjejë edhe te opozita njëfarë “shpëtimi” duke provuar të unifikojë komentet dhe brengat rreth draft-Statutit të autonomisë politike dhe territoriale të serbëve të Kosovës.
Kësaj thirrjeje të Osmanit i janë përgjigjur vetëm ish-bashkëpartiakët e saj të Lidhjes Demokratike të Kosovës; përkatësisht kreu i saj, Lumir Abdixhiku, i cili në raport me Osmanin ka mirëmbajtur njëfarë komunikimi sado në dukje të zbehtë. PDK e ka refuzuar në start thirrjen e saj duke e vlerësuar të panevojshme ndërsa argumentativisht të njëjtën mund të thuhet se e ka bërë edhe AAK.
Çka ishte veçanërisht interesante ishte përgjigja afirmative e Abdixhikut për takim me Osmanit dhe në po të njëjtën ditë edhe me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier – e ku tema që qëndron pezull në ajr është natyrisht draft-Statuti i autonomisë.
Për takimim Abdixhiku-Osmani njoftoi vetëm Presidenca, ndërsa për takimin Abdixhiku-Hovenier njoftoi kreu i LDK-së vetiu në Facebook.
Një fjali e këtij të fundit megjithatë të merr vëmendjen – në veçanti në dritën e thirrjeve voluminoze të Hovenier rreth një emergjence për të çuar para draft-Statutin e autonomisë serbe; ky i fundit madje edhe duke e paragjykuar kushtetuetshmërinë e dokumentit për të cilin beson se “fuqishëm përkon me Kushtetutën e Kosovës”.
Abdixhiku – i cili kishte pranuar si dhuratë fundviti një pako embëlsira amerikane – tha se LDK “do t’i ruajë relacionet me ShBA-në në çdo veprim”.
Para as një javë më parë Hovenier u shpreh “i habitur” me kritikat dhe komentet ndaj draft-Statutit të autonomisë; ndërsa para mëse një muaji ankohej për “interpretimet nga ato që s’e kanë parë” gjë që e quante “të çuditshme”.
Megjithatë – tashmë drafti është parë.
Në veçanti LDK-ja ka qenë tejet vokale rreth përmbatjes së këtij drafti – prej referencës në Rezolutën 12/44; komisionit të arbitrazhit si nivelit enorm të autonomisë që përkthehet në atë dokument.
Madje, Abdixhiku e quante me sigurinë më të madhe epistemologjike e politike se në këtë draft-Statut kemi “autonomi të plotë në evoluim” e në potencial “të federalizimit të vendit”.
“Mendoj se fokusi duhet të jetë se si mund të ecë Kosova përpara, duke e adoptuar këtë draft, nëse ka pyetje rreth kushtetutshmërisë, siç e kam thënë edhe më herët, po e them sërish, ekziston vetëm një trup që mund të vendosë se çfarë është në përputhje me Kushtetutën”, ka thënë Hovenier, duke folur një javë më parë para gazetarëve.
Hovenier-i e jep për gjykim të tij të sakt se draft-Statuti është “fuqishëm në përputhje me Kushtetutën e Kosovës” teksa edhe shtonte se në atë draft-Statut "ka modelitete në të për të siguruar që Gjykata Kushtetuese të jetë në gjendje ta kalojë me atë gjykim gjithashtu”.
LDK madje hiç më larg se as dy ditë më parë përmes një komunikate për media shprehu qëndrimet publike të partisë të artikuluara në një mbledhje të Kryesisë së partisë.
“Ky dokument, që buron nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, mbështetet në Rezolutën 1244 të OKB-së, krijon pushtet të ri në territorin e Kosovës dhe zëvendëson Gjykatën Kushtetuese me një sistem arbitrazhi”, u shprehën LDK.
Në dritën e kësaj ata thanë se “LDK nuk mund të mbështesë asnjë produkt që del jashtë kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, jashtë sistemit unitar të shtetit tonë, si dhe jashtë rregullimit territorial të tij”.
Dokumentin në fjalë LDK e sheh të prodhuar si pasojë “të politikave të gabuara të kryeministrit... he e moskoordinimit me aleatët tanë në fazat më kritike për vendin”.
“LDK-ja vazhdon t’i mbetet besnike idesë fillestare se dialogu me Serbinë duhet të bëhet për njohje reciproke, se Asociacioni i komunave është obligim i yni dhe se ky obligim ndërkombëtar duhet të realizohet në përputhshmëri të plotë me rendin kushtetues të Kosovës”, shkroi LDK.