“Më kanë lidhur; s’e harroj kurrë takimin me të”: Ish të burgosurit politikë i reagojnë Mehmet Locit pas intervistës
Mehmet Loci, ish-punëtor i Shërbimit Sekret të ish-Jugosllavi, i njohur gjerësisht në Kosovë si UDB-a, dje rrëfeu “të vërtetën e tij” në “Debat Plus”. Mes të tjerash, ai e pranoi se ka ushtruar dhunë ndaj ish të burgosurve politikë, ndonëse shtoi se “mund t’i numëronte në gishta këto raste”. Pas rrëfimit të tij, shumë ish të burgosur politikë reaguan karshi Locit, i cili nuk shprehu pendesë për veprimtarinë e tij.
Haki Morina, ish i burgosur politik, ishte i pari që i reagoi Locit, derisa transmetimi live i emisionit po vazhdonte ende. Në shkrimin e tij, Morina tha se atë e kanë lidhur për “dorezën e dollapit prej hekuri”.
“Mehmet Loci, thotë që se paska përdorë lidhjen për radiator, që nënkupton që tjerat i ka përdorë.
Të tjerat (shkop gome, grushta dhe sheqlma) i ka përdorë tanë natën me Zhelkun dhe Gani Hajdarin. Nga ora 6 e mbrëmjes, deri në 4 të mëngjesit. Dhe pastaj më kanë lidhur, jo për radiator, por për dorëzen e dollapit prej hekuri” – shkroi mbrëmë Morina.
Ndërsa për torturat në qendrën e “UDBA”-s në Peje shkroi Skënder Berisha, po ashtu i burgosur politik. Në shkrimin e tij, Berisha ka treguar për takimin me Locin në zyrën e UDB-s, të cilin e ka akuzuar për fjalë tepër të ulëta.
“Ato që mi ka thënë, për atë gjysmë ore, janë tepër të ulëta, më të rënda se hetimet para dënimit, më fyese e shumë më goditëse pas hetimeve dhe katër vitesh qëndrim i izoluar në burg hetues. Kurrë në jetë nuk kam pësuar fyerje të tilla. I përjetova shumë rëndë. Koha tepër e gjatë i izoluar, më kishte bërë më të fuqishëm, por, sipas tyre pritej që izolimi i gjatë ta kishte arritur efektin e vet. Ishte plotësisht e kundërta. Serbez hyra në takim e serbez dola, por, fjalët e tij, përtej çdo imagjinate nga poshtërsia, nuk i harroj kurrë” – shkroi ai.
Ndërsa Lulëzim Etemaj, ish i burgosur politik, e ka komentuar në një mënyrë interesante krejt këtë rrëfim të Locit. Përmes poezisë, Etemaj shkroi se “në emër të fjalës së lirë, radha e fjalës i vie edhe udbashit”.
“Në televizion
në aktin e parafundit të lirisë
burra e gra
Tregojnë të skuqur, me përtesë e ndrojtje
Ndonjë nga eshtrat e tyre dhe plagët e shtatit
Në aktin pa numër, me të vetmin dëshmitarë- natën!
Ndërsa sot, përtej 40 vjet pas
Në emër të fjalës së lirë, radha e fjalës i vie edhe udbashit
Gjyqin nuk ka kush të ia bëjë gjyqit!” – ka shkruar ai.
Rrëfimin e plotë të Mehmet Locit mund ta shikoni këtu.