Më fal, sa është çmimi i njohjes nga Siria?
Me dhjetëra qytetarë të Kosovës sot e gjithë ditën kanë mbetur të degdisur në tokën siriane, në kampe e jashtë tyre. Plot syresh janë meshkuj që nga 2012 deri më 2017 luftuan nën flamujt e xhihadit e për të ashtuquajturin Shtet Islamik. Rreth 70 shqiptarë edhe i lanë kockat atje. Rikthimi i tyre i kishte kushtuar shtetit të Kosovës përpjekje, mund e para. Madje, AKI-ja ishte turpëruar keq kur Turqia ‘mike’, më saktë shërbimi i saj i fshehtë MIT, në tetor 2014 arrestoi në Stamboll dy nga figurat më të larta të inteligjencës kosovare. Në fillim të këtij viti, njerëz të VV-së, të përfshirë në komunikime me zyrtarë të qeverisë së re siriane, kanë dhënë garanca se ISIS-at e dikurshëm nuk do të ndiqen nga ligji nëse rikthehen në Kosovë.
30 tetor 2025 – Njohja e Kosovës nga Siria u përjetua si arritshmëri diplomatike në një kohë kur njohjet e reja praktikisht ngjanin si një e kaluar e largët.
Pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Damask që e ligjësoi njohjen, publiku në Kosovë e jashtë saj u shërbye me fotografinë e takimit shkëlqimplotë në Riad mes presidentit sirian, Ahmad al-Sharaa, Princit saudit të Kurorës, Mohammed bin Salman, dhe presidentes, Vjosa Osmani.
Megjithëse ky zhvillim nga Siria i jep njëfarë ngjallje vendit nën izolim praktik, ajo që iu përvodh vëmendjes publike ishte çmimi i kësaj njohje.
Cila, vallë, ishte fatura e saj?
Premtimi i njerëzve të VV-së për t’i mbyllur sytë për shkeljen e ligjit
Ndonëse nuk janë të dokumentueshme, me sa duket ‘diplomacia’ e fshehtë e Vetëvendosjes për këtë njohje i ka dhënë diçka në këmbim Damaskut zyrtar.
Siç mëson NACIONALE nga burimet e veta, qysh në fillim të këtij viti njerëz të partisë në pushtet janë bërë dorëzanë që qytetarët e Kosovës, të mbetur në Siri prej pothuajse një dekade, të riatdhesohen pa u ndëshkuar nga ligji.
Garanca të tilla nuk mund të bëhen nga persona privatë nëse këtu nuk do të ishin të përfshirë edhe struktura të larta politike e nga inteligjenca e Kosovës.
Kjo i bie që gjatë këtij viti ose viteve të ardhshme Kosova do ta shfuqizojë ose pezullojë ligjin që e bënte vepër të dënueshme pjesëmarrjen në luftëra të huaja.
Në përpjekje për të frenuar qytetarët, të cilët nën nxitjen e rrjeteve radikale islamike, shkonin në Siri e Irak, Kuvendi i Kosovës më 2 prill 2015 pati miratuar ligjin për “ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit”.
I hartuar me qëllim të mbrojtjes së interesit shtetëror dhe sigurisë kombëtare, ligji e bënte vepër penale bashkimin apo pjesëmarrjen “në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht, në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës.”
Riatdhesimi midis rrezikut dhe paaftësisë institucionale
Pasi Damasku e kreu atë për të cilin u mor vesh, pra e lëshoi aktin formal të njohjes, tani Kosovës i mbetet pjesa e vështirë e ujdisë: rikthimi i qytetarëve të mbetur në Siri.
Më shumë sesa teknikalitet logjistik, pyetja që rëndon në këtë rast është sa ka kaçik shteti për një sfidë si kjo?
Pas kolapsit të të ashtuquajturit ‘kalifat’ të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, shqetësimi i plot qeverive në botë ishte sprova me atë që quhet repatriation (riatdhesim).
Dilemat e njerëzve që merren me sigurinë strumbullohen rreth kapaciteteve institucionale për të deradikalizuar njerëzit e përfshirë në terrorizëm aktiv, por edhe për të integruar gratë dhe familjet e tyre.
Kur ‘kryeqyteti’ i Shtetit Islamik po jepte shpirt – në atë që u quajt si beteja e Raqqas më 2017 – shumë nga terroristët e luftëtarët e huaj e morën arratinë, duke u përpjekur të riktheheshin në vendet e tyre.
Por, strategët e Shtetit Islamik e kishin shestuar një strategji të rryer që këta të rikthyer t’i përdornin për të hapur fronte të reja të veprimit.
Ky plan i atribuohet zëdhënësit të ISIS-it Abu Muhammad al-Adnani, i cili, në shtator 2014, u bëri thirrje “të gjithë mbështetësve që nuk mund t’i bashkohen kalifatit të sulmojnë armikun kudo që munden, dhe me cilindo mjet, pa pritur për udhëzime”.
Në të vërtetë, ISIS-i dhe organizatat e mbetura nga shkatërrrimi i tij i kanë pasur luftëtarët e huaj nga Evropa si kapitalin më të vyeshëm human – nëpërmjet tyre sulmet mund të eksportoheshin në ‘toka të huaja’.
Ka pasur vërtet shkëputje?
Shpesh është vënë në spikamë fakti se po kaq të rrezikshëm janë edhe ish-luftëtarët nga Ballkani – ata përbëjnë kërcënime sigurie falë pasaportave të tyre me të cilat mund të lëvizin edhe drejt Evropës Perëndimore.
Me përvojën e tyre të krijuar në Siri e Irak, këta njerëz të regjur kanë zhvilluar lidhje e aftësi për të krijuar rrjete të reja terroriste e radikale.
Deri më tani, vendi ynë nuk duket se ka një strategji të nduarnduartë për trajtimin e këtij problemi.
Për shembull, të vlefshme për t’u evokuar mund të jenë edhe përvojat e qeverive në Siri e Irak, të cilat kishin problem me qytetarët e tyre që u mpleksën pas Shtetit Islamik.
Kësodore, Shërbimi i Sigurisë Kombëtare në Irak prej vitesh ka vendosur një leje sigurie që konsiderohet si çertifikatë e shkëputjes prej ISIS-it.
Halli i autoriteteve në Bagdad ka qenë që familjet e rikthyera, për shembull ato nga Kampi Al-Hol, mund ta kërcënonin ‘fabrikën sociale’ në anët e Mosulit që është i njohur për laraminë etnike, fetare e sektare.
X-historia e zezë
Prej fillimit të luftës vëllavrasëse në Siri, e më pastaj krijimit të të ashtuquajturit Shtet Islamik në Siri e Irak, Kosova ia ka nxirë faqen vetes duke u cituar si një nga vendet me shkallën më të lartë të qytetarëve që u bënë pjesë e organizatave terroriste islamike.
Derisa nuk është saktësuar asnjëherë përmasa e vërtetë, të dhëna agjencish të sigurisë (Europol, ICCT, UNODC) kanë zënë në gojë shifra nga 300 deri në 420 qytetarë të Kosovës.
Në vitin 2019, Ministria e Brendshme në Kosovë zyrtarisht e kishte kumtuar numrin e të përfshirëve në luftëra të huaja: 355 gjithsejt (prej të cilëve 256 burra, 52 gra dhe 47 fëmijë).
Më 2018, Washington Post kishte përmendur shifrën prej 413 vetash.
Kjo e fundit sikur u përforcua nga një raport i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë: 403 qytetarë nga Kosova iu bashkuan zonave të luftimeve ndërmjet harkut kohor nga 2012 deri më 2018, prej të cilëve 255 ishin luftëtarë të huaj, kurse kusuri gra dhe fëmijë.
Rikthimi, drejtësia flet
Deri në atë kohë, në 242 vetë vlerësohej numri i të rikthyerve nga andej.
Në prill të 2019-s u riatdhesuan 110 qytetarë, në mesin e të cilëve 74 fëmijë dhe 32 gra.
Viti i pandemisë e kishte shtyrë për ca kohë rikthimin e të tjerëve – dhe vetëm në korrik të 2021-s u bë rikthimi edhe i 11 qytetarëve të tjerë.
Sipas vlerësimeve të ndryshme, në tokën siriane duhet të jenë 70-80 persona në kampet Al-Hol dhe Roj, përfshirë edhe një grup tjetër prej rreth 50 vetash jashtë këtyre kampeve.
Hera e fundit kur drejtësia e mori çështjen e tyre në dorë ishte mu atëherë kur ndodhi vala e fundit e rikthimit, me ç’rast gjashtë burra u dërguan në paraburgim, kurse një grua në arrest shtëpiak.
Në nëntor dhe dhjetor të po atij viti, Prokuroria Speciale ngriti shtatë aktakuza në Departmanetin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ata ngarkoheshin me veprën penale për “pjesëmarrje në një grup terrorist” sipas Kodit Penal të vitit 2012.
Në mars të vitit 2022, të akuzuarit u shpallën fajtorë për pjesëmarrje në grup terrorist; ata u dënuan nga 2 muaj e gjysmë deri në 4 vite e gjysmë.
Keq, keq, keq: Turqia me thikë pas shpine ndaj AKI-së
Përpjekjet për të rikthyer shqiptarët në Siri gati sa nuk e kishin marrë në qafë edhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Më 2014, opinioni shqiptar ishte tronditur nga rasti i vogëlushit 8-vjeçar, Erion Zena, që kishte përfunduar në Siri.
AKI-së i kishte kushtuar mjaft mund, energji e para operacioni për rikthimin e tij.
Sidoqoftë, agjentët e saj në tetor 2014 përfunduan të arrestuar nga ‘kolegët’ e tyre turq.
Shërbimi i fshehtë turk (Millî İstihbarat Teşkilatı) kishte arrestuar dy zyrtarë të lartë të AKI-së në Aeroportin e Stambollit.
Bëhej fjalë hiç më pak sesa për drejtorin e Operacioneve në AKI dhe atë të Analitikës. /Nacionale/