"Më e larta në historinë e vendit": 'Pandershmëria statistikore' e Kurtit për rritjen ekonomike - NACIONALE

"Më e larta në historinë e vendit": 'Pandershmëria statistikore' e Kurtit për rritjen ekonomike

2 vjet më parë

nga Flakon Demaku

Në lidhjen e ndërlikuar të numrave dhe garës për pushtet, statistikat dhe politika ndajnë një lidhje të pathyeshme. Në shtetet demokratike në veçanti, statistikat mbeten themeli i shumë politikave. Megjithatë, në këtë lidhje, ekziston një besim i pashprehur; qytetari mesatar mund të mos ketë një njohje të thellë të treguesve ekonomikë. Një diskurs i ngjashëm është vërejtur jo rrallë edhe me interpretimet e statistikave nga qeveria viteve të fundit.

Fenomeni i interpretimeve gjysmakë apo të përdredhura të statistikave po vihet shpesh në praktikë në fushën e ekonomisë në indikatorët si, rritja ekonomike, inflacioni, etj., për shkak të kompleksitetit në interpretimin e këtyre matësve.

Duke shfrytëzuar goditjen ekonomike që pandemia Covid-19 i dha Kosovës me rritjen ekonomike që u tkurr në – 5.3 për qind sipas publikimit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për Bruto Produktin Vendor të vendit që nga Shpallja e Pavarësisë, lavdërimet për “suksesin” që ka arritur vendi, sa i përket rritjes ekonomike, kanë qenë jashtëzakonisht të shpeshta nga Kurti dhe partia e tij.

Por a ka rritje reale ekonomike që nga votimi i qeverisë Kurti II?

Kur qeveria Kurti II ishte votuar në mars të vitit 2021, rritja reale e BPV-së – sipas ASK-së - në vend ka qenë 16.32 për qind.

Që nga ajo kohë, deri në tremujorin e dytë të vitit 2023, rritja është moderuar në 2.02 për qind.

Në kontekst të këtij zhvillimi, kishe reaguar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila kritikoi pushtetin për “propagandë”.

“S'ka zhvillim ekonomik, ka ngecje, ka ikje masive të qytetarëve nga vendi. Me propagandë nuk mund të ushqehen njerëzit. Me 16% rritje ekononike e keni marrë mandatin, e keni sjellë në 2%.” – ka thënë ajo.

Ndonëse që nga ardhja në pushtet e Lëvizjes Vetëvendosje, BPV-ja e vendit u karakterizua me një rrjedhë negative, fakt që u bë i ditur në raportin e “Bruto Produktit Vendor (BPV) me Qasjen e Shpenzimit dhe të Prodhimit, TM2 2023”, kreu i ekzekutivit tha se “rritja mesatare në dy vite ka qenë 7.9%, më e larta se çdo herë tjetër për dy vite rresht që nga shpallja e Pavarësisë”.

Pra, bazuar në trendin e rritjes reale të PBV-së krahasuar me vitin paraprak të ilustruar nga ASK-ja, periudha ndërmjet tremujorit të parë dhe tremujorit të dytë të vitit 2021 ka ndikuar në rritjen mesatare ekonomike prej 10.7 për qind në vitin 2022, për të cilën Kurti mori kredi.

Gjithashtu, pushteti ka heshtur vazhdimisht për faktin se krahasuar me vitin 2021, rritja reale ekonomike u tkurr nga 10.7 në 3.5 për qind.

Lëvizja Vetëvendosje u mburr edhe me “rritjen ekonomike më të lartë në rajon” për vitin 2023, pavarësisht faktit se Kosova ka qëndruar më mirë në këtë drejtim edhe në vitet e tjera krahasuar me vendet e rajonit, bazuar në raportet ndërkombëtare.

Në lidhje me projeksionet e rritjes ekonomike në vitin 2023, eksperti i ekonomisë, Edison Jakurti, përmes një sqarimi në Facebook, duke komentuar një artikull të “The Economist” për rritjen ekonomike, ka thënë se rritja e parashikuar (3.7 për qind) nuk përbën asgjë të re pasi Kosova ka pasur një rritje të tillë në të kaluarën.

“Pra, u projektuan dy gjëra: (a) se rritja reale ekonomike e Kosovës do t’mund të jetë deri në 3.7% (shifra më e lartë e dhënë nga këto institucione) dhe (b) se kjo do të jetë më e larta në rajon. Çka do të thotë kjo? Asgjë e re. Asnjëra nga këto nuk është çka nuk kemi parë në të kaluarën”. – ka shkruar Jakurti.

Kujtojmë se rrena e 4.2 miliardë eurove dhe grafiku i “abuzuar” janë dy rastet konkrete kur Vetëvendosje – ndonëse i paraqiste si arritje – s’kishte idenë për çfarë po bëhej fjalë në të vërtetë. Një gjë e tillë po ndodh edhe me çështjen e “rritjes ekonomike” të vendit.

Lajme të ngjashme