“Me dashje…”: Çka thuhet në vendimin e Gjykatës për të dyshuarin Kurtaj?
Gjykata Themelore në Ferizaj, më konkretisht Departamenti për Krime të Rënda, ia ka caktuar 30 ditë paraburgim Azem Kurtajt, ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, pas plagosjes së dy të rinjve të premten në Shtërpcë.
Në njoftimin e Gjykatës, thuhet se Kurtaj dyshohet për tri vepra penale: vrasje e rëndë në tentativë, përdorim i armës apo mjetit të rrëzikshëm, dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
Mes tjerash, në njoftim shkruan se “…ekziston dyshimi i bazuar mirë”, se i dyshuari me dashje ka tentuar t’i privojë nga jeta dy qytetarët serbë, Millosh Stojanoviq dhe Stefan Stojanoviq.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 6 janar 2023, në një fshatë të Komunës së Shtërpcës, me dashje ka tentuar që t`i privoj nga jeta të dëmtuarit M.S. dhe S.S., në atë mënyrë që derisa ishte duke lëvizur me veturën e tij dhe me të arritur në hyrje të fshatit, vëren disa qytetar në skaj të rrugës dhe me qëllim që t`i largon, i njëjti bie borisë, në pamundësi që të lëviz tutje e ndal veturën dhe pas një mosmarrëveshje verbale të ndodhur aty për aty e nxjerr revolen dhe shtënë dy herë duke i goditur të dëmtuarit, e që si pasoj e këtyre goditjeve lëndime trupore pësojnë të dëmtuarit të cilët fillimisht dërgohen në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë, e më pas në Spitalin në Graçanicë.” – thuhet në vendim.
Tutje, thuhet se Policia e Kosovës ka sekuestruar armën me dy karikatorë dhe 35 copë fishekë.
“Gjithashtu, në kohë dhe vende të përshkruar si më lartë i pandehuri në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka përdorur armë me leje, në atë mënyrë përderisa ka qenë në veturën e tij, ka shtënë në drejtim të të dëmtuarve M.S. dhe S.S., e që si pasoj e goditjeve të njëjtit pësojnë lëndime trupore, me ç` rast me rastin e kontrollit të kryer nga ana e Policisë së Kosovës, arma së bashku me dy karikator dhe 35 copë fishekë i sekuestrohen.” – thuhet në njoftim.
Në fund, thuhet se gjyqtari i procedurës ka aprovuar kërkesën e prokurorit të shtetit për t’i caktuar të dyshuarit masën e paraburgimit prej një muaji.
