Të dyshuarit për rastin në Shtërpcë i caktohen 30 ditë paraburgim, dyshohet për tri vepra penale - NACIONALE

Të dyshuarit për rastin në Shtërpcë i caktohen 30 ditë paraburgim, dyshohet për tri vepra penale

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjykata Themelore e Ferizaj ka caktuar një muaj paraburgim për të dyshuarin Azem Kurtaj.

Ai akuzohet për tri vepra penale në rastin e plagosjes së dy të rinjve në Shtërpcë më datën 6 janar të këtij viti. Të dy viktimat i përkisnin etnisë serbe, ndërsa njëri prej tyre ishte vetëm 11 vjeçar.

Së fundi, nëna e këtij të fundit u shpreh se "e cilësonte si tentim-sulm" atë që i kishte ndodhur të birit.

“Kam qenë në tronditje të plotë atë ditë dhe për të më qetësuar më kanë thënë se fëmija im nuk është qëlluar drejtpërdrejt, por në bisedën me Stefanin kam arritur në përfundimin se janë qëlluar me qëllim dhe se janë me fat që gjithçka përfundoi me lëndime.” – ka thënë Zorica Stojanoviq.

Fillimisht, ajo kishte deklaruar se nuk e dinte nëse kishte pasur qëllim për vrasjen e të birit dhe se ai ishte goditur nga plumbi që kishte rënë prej asfaltit.

Për shkak të këtij sulmi, Lista Serbe organizoi një protestë në Shtërpcë kur morën pjesë mijëra qytetarë të komunitetit serbë nga vende të ndryshme të Kosovës.

Në njoftimin e Gjykatës Themelore thuhet se i dyshuari ka shtënë në drejtim të të rinjëve dy herë duke i goditur ata.

"Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 6 janar 2023, në një fshatë të Komunës së Shtërpcës, me dashje ka tentuar që t`i privoj nga jeta të dëmtuarit M.S. dhe S.S.," - thotë Gjykata Themelore më tej.

Njoftimi i plotë i Gjykatës Themelore:

Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.K., shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale vrasja e rëndë në tentativë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1, 1.5 dhe 1.11 lidhur me nenin 28; përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 367 paragrafi 1; shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 6 janar 2023, në një fshatë të Komunës së Shtërpcës, me dashje ka tentuar që t`i privoj nga jeta të dëmtuarit M.S. dhe S.S., në atë mënyrë që derisa ishte duke lëvizur me veturën e tij dhe me të arritur në hyrje të fshatit, vëren disa qytetarë në skaj të rrugës dhe me qëllim që t`i largojë, i njëjti bie borisë, në pamundësi që të lëviz tutje e ndal veturën dhe pas një mosmarrëveshje verbale të ndodhur aty për aty e nxjerr revolen dhe shtënë dy herë duke i goditur të dëmtuarit, e që si pasojë e këtyre goditjeve lëndime trupore pësojnë të dëmtuarit të cilët fillimisht dërgohen në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë, e më pas në Spitalin në Graçanicë.

Gjithashtu, në kohë dhe vende të përshkruar si më lartë i pandehuri në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka përdorur armë me leje, në atë mënyrë përderisa ka qenë në veturën e tij, ka shtënë në drejtim të të dëmtuarve M.S. dhe S.S., e që si pasojë e goditjeve të njëjtit pësojnë lëndime trupore, me ç`rast me rastin e kontrollit të kryer nga ana e Policisë së Kosovës, arma së bashku me dy karikatorë dhe 35 cipë fishekë i sekuestrohen.

Ekziston dyshimi i bazuar se më 6 janar 2023 në Komunën e Shtërpcës, i pandehuri me përdorimin e armës ka shkaktuar rrezik të madhe për jetën e njerëzve, në atë mënyrë që me veturën e tij në pamundësi që të kyqet në rrugën që dërgon në Qendrën e Skijimit, i njëjti kthehet në drejtim të Shtërpcës dhe me revole shtënë pesë herë në ajër.

Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

Lajme të ngjashme