Mbyllja e zyrave ilegale serbe në Kosovë, Qeveria replikon me BE-në në rrjetet sociale - NACIONALE

Mbyllja e zyrave ilegale serbe në Kosovë, Qeveria replikon me BE-në në rrjetet sociale

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Çështja e ndalimit të dinarit serb në Kosovë dhe mbyllja zyrave ilegale serbe në disa komuna të vendit, ka nxitur reagime nga ndërkombëtarët. Bashkimi Evropian e SHBA-ja, kanë kritikuar Qeverinë Kurti për këto veprime. Mirëpo, disa fjalë për këto reagime i ka bërë Jeton Zulfaj, këshilltari politik i kryeministrit Albin Kurti dhe anëtarë të tjerë të pushtetit.

Jeton Zulfaj, këshilltari politik i kryeministrit Albin Kurti, i ka reaguar zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, i cili ka kërkuar nga Kosova që t’i shmang veprimet e njëanshme dhe që mund të rrisin tensione.

Për këto, Zulfaj ka kërkuar nga Stano që të mos ngatërrohet se për çfarë është dialogu në Bruskel dhe as për kohën në të cilën po jetojmë.

Le të mos ngatërrojmë as periudhën në të cilën jetojmë, as se për çfarë është dialogu në Bruksel, Peter. Institucionet e drejtuara nga serbët ia mbathën me ushtrinë serbe në vitin 1999 pasi kryen spastrim etnik dhe gjenocid, qindra masakra dhe vranë mijëra civilë, duke përfshirë 1,133 fëmijë.” – ka shkruar këshilltari i Kurtit në rrjetin social “X”.

Përveç Zulfajt edhe këshilltarja tjetër e Kurtit, Ardita Sinani i ka reaguar BE-së.

Kur bëhet fjalë për Kosovën, BE-ja lehtësisht bën thirrje që çështjet e brendshme si mbyllja e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë dhe zbatimi i Kushtetutës së Kosovës për përdorimin e valutës së EURO-s të jenë pjesë e diskutimeve e temave të dialogut në Bruksel. Por kur bëhet fjalë për Serbinë, duket se vlejnë standarde tjera. Për shembull, pse asnjëherë nuk e dëgjuam të njëjtën thirrje nga BE-ja për çështjen e pasivizimit të adresave dhe spastrimit etnik administrativ të shqiptarëve nga Serbia në Luginë?” – ka shkruar ndër të tjera ajo në Facebook.

Shqetësimet e ndërkombëtarëve

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë shpehur të shqetësuar për veprimet e Qeverisë së Kosovës.

Në një deklaratë të BE-së, është thënë se mbyllja e zyrave ilegale serbe do të ketë efekt negativ në jetën e serbëve, teksa janë shprehur se po e vëzhgojnë me shqetësim të madh.

Mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së komuniteteve serbe të Kosovës, pasi do të kufizojë qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment.” – thuhet në një deklaratë të lëshuar të dielën.

Sipas Stanos, çështja e statutit të këtyre zyrave “parashihet” të zgjidhet brenda dialogut, përkatësisht “në lidhje me themelimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe”.

Prandaj, BE-ja i kërkon Kosovës që të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe t'i adresojë këto çështje përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.” – ka shkruar BE-ja.

Gjithashtu edhe SHBA-të janë shprehur të shqrtësuar për operacionet e fundit të Kosovës.

Ambasada e ShBA-së në Kosovë ka shprehur shqetësimin lidhur me operacionet e fundit të kryera nga Policia e Kosovës "për sekuestrimin e dinarit serb dhe veturës që e transportonte për shpërndarjen e pagesave sociale nga Serbia".

Jemi të shqetësuar edhe nga veprimet e Policisë së Kosovës sot për sekuestrimin e dinarit serb dhe veturës që e transportonte për shpërndarjen e pagesave sociale nga Serbia. Ne kërkojmë nga autoritetet e Kosovës që të sigurojnë që individët për të cilët janë menduar këto pagesa të përfitimeve sociale t'i marrin ato pa vonesë." - thuhet në reagim.

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të shtyjnë zbatimin e Rregullores së ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës për Operacionet me Para të gatshme derisa të vendosen procedurat në përputhje me standardet evropiane.

"Ritheksojmë kërkesën tonë që Kosova të shtyjë zbatimin e Rregullores së ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës për Operacionet me Para të gatshme derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe derisa popullata të jetë mjaft e informuar se si do të vazhdojë tranzicioni i përfitimeve të tyre." - thuhet në reagim.

Lajme të ngjashme