Mblidhet VV-ja, thotë se përfaqësimi i Kosovës në politikën e jashtme është më dinjitozi ndonjëherë
Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar për mbajtjen e një takimi me kryetarët dhe sekretarët e qendrave të saj.
Sipas njoftimit të shpërndarë në Facebook, në mbledhje ka marrë pjesë edhe kryetari i VV-së Albin Kurti, njëherësh kryeministër i Kosovës, sekretari organizativ, Alim Rama, koordinatori i qendrave, Valon Hoti, si dhe drejtuesja e komiteteve profesionale në LV, Dejona Mihali.
Bëhet e ditur se në takimin e mbajtur është diskutuar situata politike në vend si dhe çështjet organizative që lidhen me punën e strukturave organizative në qendra.
Ndër të tjera, në njoftimin e dhënë thuhet se kryeministri Kurti ka folur për aktualitetin politik në Kosovë dhe ‘punët e shumta që janë kryer gjatë vitit që sapo lamë pas dhe që do të vazhdojnë në vijim’.
Në këtë njoftim, është folur edhe për përfaqësimin ‘dinjitoz si asnjëherë më parë’ të Kosovës në politikën e jashtme.
Lëvizja Vetëvendosje, po ashtu ka njoftuar se është duke u punuar për themelim të nënkomiteteve profesionale në qëndrat e kësaj lëvizjeje, të cilat do të trajtojnë çështje që ndërlidhen me sektorë të veçantë në secilën komunë.
Për këto nënkomitete, VV ka thënë se ‘do të jenë shtyllë e rëndësishme e strukturimit të mëtejmë organizativ'.
