Mbledhja e (mos)dorëheqjes së Abdixhikut, çka u tha brenda - NACIONALE

Mbledhja e (mos)dorëheqjes së Abdixhikut, çka u tha brenda

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Për pesë orë trembëdhjetë kokat më të larta të LDK-së kuvenduan përbrenda selisë qendrore pa dalë as për një minutë jashtë për “Çështjen Abdixhiku”.

Tepojza elektorale që 28 dhjetori zbuloi, LDK-në, dhe jo vetëm, e hodhi në një marramendje të madhe për partinë më të vjetër në Kosovë.

Bartësi i kahershëm i argumentit vetëkrekosës “për besë ata që e kanë sjellë LDK-në në 11%, të mos flasin” tash e gjeti veten para gjyqit të fjalëve të veta.

  • Të dorëhiqem? Të mos dorëhiqem?

Në pesë orët mbledhje, dy nga më ‘veteranët’ në LDK, Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti ishin inicialisht për dorëheqjen e tij.

Derisa takimi po mbyllej, dy doreheqje-kërkuesit, megjithatë, s’i çuan në epilog pozicionet e tyre.

Abdixhiku, me ç’mëson Nacionale, dymbëdhjetë kuvenduesve të vet u kërkoi të bëhen së paku “katër a pesë” që janë për dorëheqje të parevokueshme.

Dhe nëse katër-a-pesë e kërkojnë “zbres poshtë dhe e njoftoj dorëheqjen e parevokueshme”.

Askush s’u dha “për” dorëheqjen e parevokueshme në mbledhje.

Hykmete Bajrami, më e përfolura se mund të bëjë hapin për të marrë drejtimin e partisë, në mbledhje ishte “konfuze”.

Me ç’mësojmë nga burimet tona ajo nuk ka folur nëse do ta marrë drejtimin e partisë ose jo, sepse nuk e di “nëse do t’i aprovohej dorëheqja (Abdixhikut) nga kuvendi i parti".

"Tërhiqu ti, pastaj shohim", na e parafrazon burimi ynë qëndrimin e Hykmete Bajramit.

Pozicioni i Avdullah Hoti nga fundi i mbledhjes u përmblodh me “çka të vendosni, ju mbështes”, kësisoji, duke mos i mbijetuar pozicionit parësor i hyrjes në takim.

Kujtim Shala, nga fundi, i kërkoi Abdixhikut “të heq dorë krejt nga dorëheqja”.

Ilir Ferati po ashtu në përkrahje kategorike të Abdixhikut si drejtues i partisë.

Dhe, mbledhja u krye.

Abdixhiku, para gazetarëve në terrin e natës, u pyet a ka kundërkandidat pas “dorëheqjes së tij, të miratuar ose jo nga kuvendi”, shikoi prapa nga bashkëpartiakët.

Fytyrat, thonin, “jo”.

...

“Ofrim të dorëheqjes [...] dhe më pas të vendosë Kuvendi”...

Pas pesë orësh diskutimesh në mbledhje mes figurave kryesore të partisë, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, komunikoi vendimin që, sipas tij, fatin e vazhdimësisë së udhëheqjes së tij ta vërë në duart e Kuvendit të partisë. Ai e cilësoi këtë si një "obligim moral" përballë rezultatit zgjedhor, të krahasueshëm vetëm me më të dobëtin në historinë e partisë.

“Siç ju kam njoftuar më 28 dhjetor 2025, edhe sonte ju njoftoj se, në konsultim me bashkëpunëtorët e LDK-së, me nënkryetarët e partisë dhe sekretarët, kemi vendosur të thërrasim fillimisht Kryesinë dhe më pas edhe Kuvendin e LDK-së. E kam obligim moral, e kam obligim të sjelljes sime të marr jo vetëm përgjegjësinë, por të marr dhe të shtroj tutje edhe organizimin politik të LDK-së dhe, nëpërmjet ofrimit të dorëheqjes te Kuvendi i LDK-së, më pas të vendosë Kuvendi, nëpërmjet votës, se a e pranon apo nuk e pranon këtë dorëheqje.” – u shpreh Abdixhiku.

Abdixhiku shtoi se, deri në mbajtjen e Kuvendit, çdo anëtar i LDK-së ka të drejtë të garojë për kreun e partisë. Sipas tij, procesi do të formalizohet në organet partiake dhe do të zhvillohet në kuadër të strukturave të LDK-së.

“Po ashtu, secili njeri brenda LDK-së e ka të drejtën e garantuar që, deri atëherë, të shtrojë edhe kandidaturën individuale për kreun e LDK-së. LDK-ja është unike, është e bashkuar; i shtron çështjet në konsultime të tilla – do t’i formalizoj më tutje në organet partiake. Ky ishte takim joformal i kryetarit të LDK-së me bashkëpunëtorët e vet. Takimi i vetëm formal i LDK-së është ai i Kryesisë, i cili pritet të ndodhë javën e ardhshme. Pas takimit të Kryesisë ndodh Kuvendi. Janë çështje të LDK-së dhe do të trajtohen brenda LDK-së dhe organeve partiake.” – tha ai.

I pyetur se si do të veprojë në rast se Kuvendi nuk ia pranon dorëheqjen, Abdixhiku tha se një vendim i tillë e “obligon” të vazhdojë detyrën.

“Në qoftë se Kuvendi nuk e pranon dorëheqjen, atëherë të detyron të qëndrosh në pozitën e kryetarit dhe ta kërkon një gjë të tillë. Është papërgjegjësi, besoj, edhe e kohës, edhe e anëtarësisë, edhe e besimit, që t’i shmangesh besimit të anëtarësisë, por kjo është çështje e Kuvendit të LDK-së, jo çështje e imja. Unë, si kryetar i LDK-së, kam obligim që të shtroj para anëtarësisë së LDK-së, para Kuvendit, këtë dorëheqje, që të hap rrugë edhe për të tjerët që dëshirojnë të shtrojnë një platformë tjetër.” – shtoi ai.

Lajme të ngjashme