Mbledhja e Kuvendit, UP-ja i fton deputetët që të votojnë Statutin e ri të universitetit - NACIONALE

Mbledhja e Kuvendit, UP-ja i fton deputetët që të votojnë Statutin e ri të universitetit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Universiteti i Prishtinës iu ka bërë thirrje deputetëve që në mbledhjen e sotme të Kuvendit të votojnë statutin e ri të këtij universiteti.

Në prag të mbledhjes së Kuvendit, ku në rend të ditës është edhe miratimi i Statutit të ri, UP-ja ka treguar rëndësinë e miratimit të këtij dokumenti.

“Statuti po ndryshohet pas më tepër se dymbëdhjetë (12) vjetësh dhe duke marrë parasysh përmbajtjen dhe shpejtësinë me të cilën kanë lëvizur dinamikat dhe trendet në arsimin e lartë, status quo-ja ka qenë zgjidhje qartazi e paqëndrueshme dhe ndryshimet të ngutshme e të domosdoshme. Në të vërtetë, shumë prej kritereve dhe kërkesave statutare nuk kanë ndryshuar që nga Statuti i miratuar në vitin 2003”, është thënë në komunikatën e UP-së.

Më tej, është treguar se statuti në fjalë parasheh një funksion më të decentralizuar të universitetit.

“Në dimensionin strukturor, statuti parasheh një funksion më të decentralizuar të universitetit, duke bartur e saktësuar përgjegjësitë dhe llogaridhënien menaxheriale drejt rektorit dhe dekanëve, ndërsa në anën tjetër parasheh rol më të fuqizuar akademik të senatit dhe këshillave të njësive akademike. Statuti përcakton rregulla që avancojnë aspiratat për barazi gjinore, synojnë të rrisin kriteret për zgjedhje në pozita drejtuese dhe përmbajnë ndalesa për periudha të konsiderueshme kohore për personat, të cilët ushtrojnë ose kanë ushtruar funksione të larta partiake apo politike dhe synojnë pozita drejtuese në universitet”, është thënë në komunikatë.

Lajme të ngjashme