Mbledhja e detyrimeve tatimore: A po e shkel ATK-ja ligjin?
Administrata Tatimore e Kosovës nuk po e zbaton ligjin. Edhe pse sipas ligjeve në fuqi, të cilat do t’i sqarojmë më poshtë, ATK nuk ka të drejt të mbledh detyrimet tatimore, deri në një vendim përfundimtar, pra derisa të përfundoj shqyrtimi i ankesave, ATK nuk po e respekton një gjë të tillë.
Administrata Tatimore e Kosovës në kundërshtim me ligjin, po mbledh detyrimet tatimore, pa përfunduar procedura.
Një burim i Gazetës Nacionale ka rrëfyer rastin se si ATK ka hapur procedurën e kontrollit ndaj biznesit të tij per te verifikuar nëse ka bërë deklarimet e sakta tatimore.
Biznesi, i cili ka kërkuar të mbetet anonim, ka pranuar draft raportin e kontrollit sipas te cilit ATK ka vlerësuar se duhet te paguaj detyrime tatimore shtesë në një vlerë të caktuar të parave. Krejt kjo pasi që nuk i ka njohur disa fatura të cilat i kishte deklaruar si shpenzime e gjithashtu nuk ia kishte njohur investimet ne objektin e tij.
Subjekti në fjalë kishte kundershtuar draft raportin e kontrollit duke paraqitur deshmi se me të vërtetë ka bërë investimet në fjalë te cilat duhet te i njihen si shpenzime e gjithashtu duke ofruar dëshmi edhe për validitetin e faturave të cilat i ka deklaruar si shpenzim e të cilat nuk janë pranuar nga ATK.
Më datë 2 gusht, biznesi në fjalë, ka pranuar raportin e kontrollës së ATK-së ku detyrohet që të paguaj detyrime tatimore shtesë nga ato të deklaruarat pasi qe kundërshtimet e tij nuk ishin marre parasysh. Ndaj këtij raporti i njëjti ka pasur afat ligjor për ankesë në komisionin e ankesave prej 30 ditësh. Pas një jave, është njoftuar nga zyrtarët e ATK se ka 10 ditë kohë për të kryer pagesën e detyrimeve tatimore ose për të arritur marrëveshje për pagesën me këste. Edhe pse i kishte njoftuar zyrtarët që është duke e paraqitur ankesën sepse nuk pajtohej me raportin e kontrollit, zyrtarët e kishin njoftuar se ankesa nuk e ndal mbledhjen e borxhit.
Por, çka thotë ligji?
Në një prononcim për Nacionale, Avokati Florin Lata sqaron se ATK nuk i ka harmonizuar praktikat e veta me ndryshimet legjislative. Fshirja e neni 81 par. 1 e Ligjit për Administratën Tatimor të Kosovës nr.03/L-222 ka për qëllim vendosjen e parimit të paraparë me Ligjin e Procedurës së Përgjithshme Administrative që ankesa ka efekt pezullues. Çdo dispozitë e Ligjit për Administratën Tatimore duhet të interpretohet në frymën e këtij parimi.
Kuvendi i Kosovës e ka ndryshuar ligjin për Administratën Tatimore dhe Procedurat përmes ligjit nr.08/L-176 i cili ka për qëllim që të gjitha ligjet të jenë në përputhje me parimet e Ligjit të Procedurës së Përgjithshme Administrative. Me ndryshim/plotësimin e ri, është fshirë neni i cili parashihte se ankesa nuk e shtyen ekzekutimin e vendimit.
Konkretisht, është fshirë neni i cili parashihte se ankesa e ushtruar nga subjekti nuk e shtyen ekzekutimin e detyrimit te përcaktuar nga ATK. Pra është fshirë paragrafi 1 i nenit 81 te ligjit per ATK dhe procedurat i cili parashihte se: “Nëse një person ka dorëzuar ose nuk ka dorëzuar një ankesë te Sektori i Ankesave, Bordi i Pavarur për Rishqyrtime ose gjykata kompetente, nuk pezullon obligimin për pagesë të detyrimeve tatimore”.
Në plotësim/ndyshim të ligjit, i cili është publikuar në Gazetën Zyrtare në korrik të këtij viti, thuhet se fshihet ky paragraf.
Nga kjo i bie se në fuqi mbetet neni 130 i Ligjit Për Procedurën e Përgjithshme Administrative, në të cilin thuhet: “Përveçse kur parashikohet ndryshe me ligj, parashtrimi i një ankese pezullon, sipas fuqisë së ligjit, prodhimin e pasojave juridike të aktit administrativ, deri në njoftimin e vendimit që zgjidh ankesën.”
Sipas avokatit Lata, mos respektimi i ndryshimeve ligjore nga ana e ATK-së do të ketë pasoja të mëdha për bizneset, prandaj është urgjente që ATK të merr masa në zbatimin e menjëhershëm të ligjit dhe tatimpaguesit të mund të presin rezultatin e ankesës para se të detyrohen që të paguajnë.
ATK- nxirrte rregullore në kundërshtim me ligjin
Një shkrim i Gazetës Nacionale, me titull: “Paguaj 50 % më lirë, por s’ke të drejtë ankese – a po e shkel ATK-ja kushtetutën?” u bë shkas që institucioni i Avokatit të Popullit të niste hetimet ndaj ATK-së.
Siç, kishte paralajmëruar Nacionale, ATK-ja kishte nxjerrur rregullore me anë të së cilës, ua mohonte qytetarëve të drejtën e ankesës, në ato raste kur ata gjobiteshin nga ky institucion, e të cilët e kryenin pagesën brenda afatit të caktuar, për të përfituar 50 % zbritje.
Avokati i Popullit me datë 21 dhjetor, ka publikuar raportin, me anë të së cilit i ka dhënë epilog kësaj çështje.
ATK-ja rekomandohet ta ndryshojë këtë rregullore.
Në raport thuhet: “Avokati i Popullit, në bazë të nenit 16, paragrafi 4, të Ligjit nr.02/L-019 për Avokatin e Popullit, ka hapur rast sipas detyrës zyrtare, në bazë të artikullit të gazetës “Nacionale” i datës 15 korrik.
Tutje aty përshkruhet edhe epilogu i kësaj çështje e që duhet të jetë ndryshimi i rregullores diskriminuese.
ATK-ja kishte pranuar rekomandimet e Avokatit të Popullit, duke e ndryshuar rregulloren.