Mbi 200 të vdekur nga cikloni “Freddy” në Malavi e Mozambik të Afrikës - NACIONALE

Mbi 200 të vdekur nga cikloni “Freddy” në Malavi e Mozambik të Afrikës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Cikloni shkatërrues tropikal, “Freddy”, i cili e ka përfshirë pjesën jugore të Afrikës, ka shkaktuar rrëshqitje të rrallë dheu dhe ka mbytur të paktën 219 persona në Malavi dhe Mozambik nga mbrëmja e së shtunës. Pritet që numri i viktimave të rritet.

199 njerëz kanë vdekur në Malavi nga rrëshqitja e dheut dhe vërshimet, të cilat u shkaktuan nga reshjet e dendura, thanë të martën autoritetet e këtij shteti. Presidenti Lazarus Chakwera e shpalli gjendjen e fatkeqësisë në rajonin jugor të vendit dhe në kryeqytetin tregtar, Blantyre. Rreth 19 mijë njerëz në jug të vendit janë zhvendosur, sipas autoriteteve.

“Rryma dhe komunikimi janë ndërprerë në shumë zona të prekura, duke i vështirësuar operacionet e ndihmave”- tha Stephane Dujarric, zëdhënës i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, në një konferencë për gazetarë të martën pasdite. Rajonet më të prekura mbeten të paqasshme, prandaj niveli i plotë i dëmit është i panjohur deri më tani, raporton agjencia “Associated Press”.

Nga raportimet e institutit për fatkeqësi në Mozambik të martën u konfirmua se 20 njerëz kanë vdekur në këtë shtet dhe 1.900 shtëpi janë shkatërruar në provincën bregdetare, Zambezia. Dhjetëra mijëra njerëz ende ndodhen në strehimore dhe në qendra të akomodimit.

Organizata për të drejtat e njeriut, “Amnesty International” i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mobilizojë burime dhe t’i shtojë ndihmat e përpjekjet për shpëtim në këto dy shtete.

“Është e qartë se numri zyrtar i të vdekurve do të rritet edhe në Malavi, edhe në Mozambik, njësoj si raportimet për infrastrukturë të shkatërruar”- tha Tigere Chagutah, drejtor i kësaj organizate për Afrikën Lindore dhe Jugore. “Shtete e prekura duhet të dëmshpërblehen për humbjet dhe dëmet e shkaktuara nga cikloni”- shtoi ai.

Lajme të ngjashme