Mbi 12 mije euro në ditë: Qe sa i kushtoi Gërvalla me staf buxhetit të shtetit në vizitën "pa hajr" në ShBA - NACIONALE

Mbi 12 mije euro në ditë: Qe sa i kushtoi Gërvalla me staf buxhetit të shtetit në vizitën "pa hajr" në ShBA

1 vit më parë

nga NACIONALE

Në fund të muajit shtator, kryediplomatja Donika Gërvalla, kryeministri Albin Kurti e presidentja Vjosa Osmani udhëtuan për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Këta dy të parët, do të mbanin atje dy tubime politike, për të vijuar më pas këtë fushatë nëpër shtetet e Evropës ku ka kosovarë. Sidoqoftë, udhëtimi i ministres së Punëve të Jashtme dhe stafit të saj, i ka kushtuar buxhetit të shtetit të Kosovës 86 mijë e 512 euro.

Sipas komunikatave të dërguara nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Gërvalla me kabinetin e saj qëndruan në ShBA për rreth një javë, nga 22 deri më 29 shtator.

Portali “Demokracia” ka publikuar shpenzimet e Gërvalles dhe stafit, të siguruara nga kërkesa për qasje në dokumente publike. Sipas të dhënave të MPJD-së, Gërvalla me staf kanë shpenzuar 86 mijë e 512 euro gjatë qëndrimit në ShBA.

Pra, me një llogaritje të thjeshtë, del se kjo vizitë e Gërvallës dhe stafit të saj, i ka kushtuar buxhetit të Kosovës rreth 12 mijë e 358 euro në ditë.

Këtu vlen të theksohet se Gërvalla është kritikuar shumë pas kësaj vizite, duke marrë parasysh mungesën e takimeve të nivelit të lartë.

Ajo ka marrë pjesë në një takim me ftesë të sekretarit amerikan, Antony Blinken për situatën në Venezeuelë dhe në Konferencën e Koalicionit Global kundër DAESH/ISIS.

Ku shkuan këto para?

Mëditjet dhe udhëtimi: 20,929.60 euro

Akomodimi: 38,416.88 euro

Shpenzimet tjera: 2,776.97 euro

Dreka dhe darka zyrtare: 1,844.00 euro

Biletat e aeroplanit: 22,550.18 euro

Krejt në fund, ministria është kujdesur të tregojë se Gërvalla me staf kanë marrë një shtëpi me qira gjatë qëndrimit atje, duke pretenduar se i kanë kursyer buxhetit të shtetit 80 mijë dollar.

“Gjatë qëndrimit në USA, kabineti i Ministres kanë marrë një shtëpi me qira, me kosto rreth 14 mijë dollarë, dhe shpenzimet e akomodimit janë shpërndarë propocionalisht bazuar në ditët e qëndrimit. Me këtë veprim, buxhetit të shtetit i janë kursyer afro 80 mijë dollarë." - thuhet aty.

Në lidhje me këto raportime, ka reaguar edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu – Shoshi.

Ajo përmes një shkrimi në Facebook ka theksuar se këtu nuk janë përfshirë shpenzimet e Kurtit dhe stafit të tij.

“86 MIJË e 512 EURO vec një udhëtim në SHBA për Donikën me zëvendësen e saj dhe stafin! Këtu NUK janë përfshi edhe shpenzimet e Albinit dhe stafit të tij.

Ende s’keni parë gjë!

Jeni të VJEDHUR e të MASHTRUAR!” – ka shkruar deputetja e Kuvendit të Kosovës.

Lajme të ngjashme